Një incident i rëndë ka ndodhur në Vlorë, ku një vajzë 4-vjeçare është kafshuar nga një qen i racës Pitbull në zonën e Lungomares, duke përfunduar në spital për ndihmë mjekësore.
Policia e Vlorës ka bërë me dije se është proceduar penalisht pronari i qenit, shtetasi H. B., 87 vjeç, banues në Vlorë. Sipas njoftimit zyrtar, specialistët kanë referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal ndaj tij pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “10 Korriku”.
“Qeni i tij i racës Pitbull ka kafshuar një 4-vjeçare, e cila mori mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.
Pas incidentit, autoritetet kanë ndërhyrë menjëherë duke marrë në dorëzim kafshën. Qeni është transportuar nga shërbimi i mbrojtjes së kafshëve pranë Bashkisë Vlorë, ndërsa vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.








