Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në shëtitoren e Lungomares në Vlorë, ku një fëmijë rreth 4 vjeç është sulmuar nga një qen pitbull, duke pësuar plagë të rënda në pjesën e kokës.
E mitura u transportua me urgjencë drejt spitalit të Vlorës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë, në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat e policisë, të cilat bënë të mundur neutralizimin dhe lidhjen e kafshës.
Sipas informacioneve paraprake, qeni e ka kafshuar vajzën në kokë duke i shkaktuar dëmtime serioze. Në momentin e ngjarjes, një punëtor i bashkisë që ndodhej pranë ka ndërhyrë menjëherë, duke shmangur pasoja edhe më të rënda për të miturën.
“Vajza ishte me nënën, gjyshen dhe gjyshin. Qeni po kalonte aty, u turr dhe i kapi kokën. Vajta e kapa qenin dhe e lidha me zinxhir. Qeni ka tre ditë rrugëve. Vajzën e kafshoi në kokë… shpëtoi, fati i saj dhe që unë ndërhyra në moment. Qeni ka gjithë ditën që vjen vërdallë me një zinxhir”, tha ai.
Ndërkohë, një tjetër rast është regjistruar në Pogradec, ku specialistët për Hetimin e Krimeve kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedim penal për veprën “braktisja e kafshës së shoqërimit” ndaj shtetasit K. S., 53 vjeç, banues në fshatin Nicë. Dyshohet se qeni që ai mbante ka dalë nga rrethimi i banesës dhe ka sulmuar në krah shtetasen L. T., e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarjet e njëpasnjëshme rikthejnë në vëmendje problematikën e qenve të lëshuar në rrugë dhe rrezikun që paraqesin për qytetarët.







