Rritja e rasteve me fruth dhe refuzimi i vaksinimit për shkak të teorive të rrezikut nga autizmi kanë ndezur një debat të fortë në studion e A2 mes përfaqësuesve të mjekësisë dhe mësueses myslimane Esmere Kola. Kjo e fundit akuzoi publikisht epidemiologen në Fier, Anila Muçi, si bashkëpunëtore në një “krim” për moszbatimin e protokollit shtetëror mbi vaksinat.
“Pse nuk i hapni vaksinat, a keni ekspertë çfarë ka vaksina brenda qetësojini njerëzit. Paguhesh me taksat e mia dhe nuk mund të lozësh me jetën e njeriut. Edhe ti doktoreshë ke marrë pjesë në krim, se vuajnë familjet shqiptare, je bashkëpunëtore në krim”, deklaroi Kola.
Në reagimin e saj, epidemiologia Muçi u shpreh: “Unë marr pjesë në krim që punoj për të parandaluar sëmundjen e fëmijëve tuaj? Jam bashkëpunëtore për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve. Këtë e pranoj”.
Mjeku Ilir Alimehmeti ndërhyri duke e konsideruar deklaratën e mësueses si fyese dhe të papranueshme. “O merrem unë me sistemin, ose nuk merret njeri me sistemin shëndetësor. Nuk e pranoj dot ti thuash një mjekeje bashkëpunëtore në krim. Është ofendim i rëndë”, tha ai.
Kola vijoi argumentin e saj duke thënë se vaksinimi duhet të paraprihet nga analiza për sistemin imunitar dhe që vaksinat duhet të jenë të ndara sipas përbërjes. Ajo theksoi se përmbajtja e derrit në vaksina është problem për besimin islam dhe se kjo është arsyeja pse shumë prindër hezitojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre.
“Ndryshoni këndvështrimin dhe zbatoni rregulloren që ka përcaktuar shteti. Të gjitha fetë janë pro vaksinimit, dhe librat hyjnorë e nxisin njeriun që të kërkojë shërim. Përbërja e vaksinave është bërë shqetësim kryesor edhe në Amerikë, sepse në religjionin e tyre thonë që përbërja e vaksinës ka elementë nga fetuse të abortuar, që ato e quajnë krim. Kurse në islam ne e kemi të ndaluar të përdorim produkte me përmbajtje derri dhe të gjitha mikrobet janë të përqendruara në xhelatinë derri. Meqë nuk zbatojnë protokollin, le të na sjellë shteti në një xhelatinë që ne e pranojmë”.
Muçi reagoi duke sqaruar se përbërja e çdo vaksine është publike dhe e lexueshme: “Nëse ju dyshoni, çdo vaksinë ka me vete edhe patentën nga se është e përbërë dhe të gjithë elementët që ka brenda. Para se t’i vaksinoni fëmijët, i lexoni. Lexo patentën e vaksinës dhe je ok, është e bashkëlidhur aty”.
Mësuesja Kola këmbënguli se pa analiza për sistemin imunitar nuk do ta vaksinojë fëmijën e saj. “Nuk e ndiqni protokollin, nesër do jetë për kopsht fëmija im. Nëse fëmijës sim nuk i ofrohet analizë për të parë sistemin imunitar, unë nuk e vaksinoj. Ose të zbatohet protokolli ose nuk e vaksinoj. Mos i vrisni fëmijët e shqiptarëve”, tha ajo.
Në fund, mjekja Muçi bëri thirrje për një mbulesë vaksinale prej 95% në mënyrë që të sigurohet një mbrojtje më e mirë ndaj fruthit.