Gjykata e Lezhës ka shpallur dënimet për ngjarjen e përplasjes me armë të ndodhur në prill të vitit 2022 në fshatin Kallmet, ku u përfshi edhe ish-kreu i Njësisë Administrative, Besnik Simoni. Ai u shpall fajtor për “Vrasja në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit,” dhe u dënua me 6 vite e 6 muaj burgim.
Altin Marku u dënua me 20 vite burg për “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.”
Prokurori i çështjes, Françesk Ganaj, kishte kërkuar dënimin maksimal prej 40 vitesh burg për të dy të pandehurit, por trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtaret Aurel Arapi, Aldi Kareco dhe Migena Laska, u dha një dënim më të butë me 26 vite e 6 muaj burg në total.
Vendimi i Gjykatës:
Deklarimin fajtor të pandehurit Altin Marku për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 78/1 dhe 22 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit Altin Marku për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Altin Marku me 20 (njëzetë) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 266 pika 2 gërma b) të K.Pr.Penale, rivënien në fuqi të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr.146, datë 04.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Altin Marku të fillojë nga momenti i arrestimit 01.04.2022 dhe dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.
Deklarimin fajtor të pandehurit Besnik Simonaj për veprën penale “Vrasja në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 83 dhe 22 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit Besnik Simonaj për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Besnik Simonaj me 6(gjashtë) vjet e 6(gjashtë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit për të dënuarin Besnik Simonaj të fillojë nga momenti i arrestimit 01.04.2022 dhe dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.