Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia pasi tentoi të merrte me forcë në automjet një grua që dyshohet se e përndiqte prej një kohe të gjatë. Ngjarja ka ndodhur në Librazhd dhe ka shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të uniformave blu.
Sipas të dhënave zyrtare, shtetasi me inicialet D. K., 32 vjeç, kishte përndjekur prej rreth një viti e gjysmë një 39-vjeçare. Situata ka përshkallëzuar kur ai ka tentuar ta fusë me forcë në automjetin e tij, në ambientet e jashtme të një karburanti në Librazhd.
Gjatë incidentit, 32-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike edhe ndaj personit që shoqëronte gruan, duke e goditur me grushte, dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Policia ka reaguar menjëherë pas njoftimit për konfliktin dhe, pas veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Insistimi”, ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit. Ai u arrestua në hyrje të qytetit të Elbasanit, ndërsa drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Gjatë ndërhyrjes, uniformat blu sekuestruan automjetin dhe celularin e të arrestuarit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.
Policia thekson se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.








