Përkeqësohet situata edhe te fqinjët tanë, dy viktima nga koronavirusi brenda 24 orësh në Greqi dhe Maqedoni të Veriut

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Koronavirusi po përhapet me shpejtësi në rajonin e Ballkanit, teksa gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar disa viktima.

Në Maqedoninë e Veriut ka ndërruar jetë personi i dytë nga koronavirusi, i cili ndodhej në terapi intensive.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.

Në njoftim thuhet se viktima është një 63-vjeçar nga Dibra.

Ky i fundit ishte shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive më 17 mars, ndërsa nuk shfaqte temperaturë të lartë.

“Gjatë natës gjendja e tij u përkeqësua në mënyrë të papritur, ai menjëherë u intubua, u vendos në një aparat të frymëmarrjes, por brenda disa orësh gjendja e tij u përkeqësua më tej dhe pacienti vdiq. Pacienti nuk kishte histori të njohur të komorbiditetit”, thuhet në njoftimin e  Ministrisë së Shëndetësisë.

Kujtojmë këtu se në Maqedoninë e Veriut ditën e djeshme u shënua viktima e parë nga koronavirusi, një 57-vjeçare nga Kumanova.

Edhe në shtetin tonë fqinj Greqinë, brenda 24 orësh janë shënuar dy viktima nga koronavirusi.

Në shtetin helen bilanci i COVID-19 është 624 të prekur, nga të cilët 15 viktima.

Kryeministri grek, Micotaqis, në një deklaratë për mediat, bëri me dije se nga e hëna, lëvizjet e makinave dhe njërëzve do të kufizohen.

Sipas urdhërit, do të lejohen vetëm personat që kanë probleme shëndetësore, ata që duan të blejnë ushqime dhe punëtorët.

Ndërkohë në vendin tonë, gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 2 persona, duke e çuar në 4 totalin.

Shpërndaje
Share.

Komento