Në Kosovë, mjekët serbë trajtojnë shqiptarë dhe mjekët shqiptarë trajtojnë serbë, gjë që lë të kuptohet se besimi i përbashkët, pas të gjithave, nuk ka humbur në tërësi.
Pediatri Millorad Todoroviq e konsideron bekim faktin që ka lindur në një zonë në lindje të Kosovës, ku serbët dhe shqiptarët e gjeneratës së tij janë rritur duke folur gjuhën e njëri-tjetrit.
Kjo do të thotë që sot, klinikën e tij private të pediatrisë në fshatin Shillovë të Gjilanit, e vizitojnë vazhdimisht pacientët shqiptarë.
“Nipat e mbesat e mësuesve të mi shqiptarë tani janë pacientët e mi të vegjël,” tha Millorad Todoroviq, 63-vjeçar. “Çdo person që ka nevojë për kujdes dhe që respekton rregullat trajtohet këtu, përfshirë fëmijët shqiptarë. Unë nuk mund të ndryshoj realitetin apo shëroj frustrimet; puna ime është të përqendrohem në shëndetin e fëmijëve.”
“Çdo person që ka nevojë për kujdes dhe që respekton rregullat trajtohet këtu”, tha Millorad Todoroviq. Foto: Millorad Todoroviq.
Nën qeverisjet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tensionet politike mes dy vendeve janë rritur në kohën e fundit, për shkak të një varg çështjesh të pazgjidhura që kanë mbetur që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe refuzimit të Serbisë për ta njohur atë.
Serbët dhe shqiptarët në Kosovë, në përgjithësi, bëjnë jetë mjaft të ndarë ndër vite, të ndihmuar nga institucionet paralele në zonat me shumicë serbe, të financuara nga shteti serb, përfshirë shërbimet shëndetësore.
Por kur vjen puna te trajtimi i sëmundjeve, në shumicën e rasteve bien pengesat.
“Jam trajtuar në Prishtinë para dhe pas luftës; nuk kam frikë apo paragjykime,” tha Predrag Milanoviq, pensionist serb nga Gracanica, pak kilometra prej kryeqytetit të Kosovës. “Si serbë, shkojmë te mjekët shqiptarë, dhe shqiptarët shkojnë te serbët.”
“Nuk kam frikë apo paragjykime”, u shpreh Predrag Milanoviq, qytetar nga Graçanica, Foto: BIRN/Antigone Isufi.
Besimi i thyer
Nga fundi i viteve 1990, kryengritja e armatosur eklipsoi politikën e mëparshme të rezistencës pasive ndaj represionit serb, periudhë kjo që gjeti shumicën e shqiptarëve në sektorin publik të shkarkuar ose dorëhequr si dhe zhvendosi shkollimin në gjuhën shqipe në bodrume.
Lufta e dhunshme si kundër-reagim nga Serbia solli shpërnguljen e qindra mijëra civilëve shqiptarë, masakrimin e mijëra të tjerëve dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 përdëbimin e forcave serbe. Kosova fillimisht u vu nën administratën e Kombeve të Bashkuara, por besimi ishte shkatërruar dhe ende nuk është rikthyer në total.
“Në Kosovë, mosbesimi reciprok midis shqiptarëve dhe serbëve është i dukshëm dhe për këtë duhet të gjurmojmë në histori, që është e rëndësishme sot,” tha profesori i historisë Muhamet Mala.
Autorja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Mila Mihajloviq tha se situata është veçanërisht e vështirë në zonat rurale, “jo vetëm në aspektin e qasjes në strukturat shëndetësore, por edhe në aspektin e qasjes në arsimin informal dhe platformat për aktivizmin qytetar. Por, situata është pa dyshim ndryshe në mjediset urbane, siç është Prishtina”- tha ajo.
I lindur në fshatin Cërnicë të komunës së Gjilanit, Todoroviq ka punuar në fillim të viteve 1990 në qendrën e shëndetit publik në Gjilan, mirëpo në vitin 1996 u largua dhe hapi klinikën e tij private të quajtur “Elixir”. Që atëherë Todoroviq ka trajtuar edhe shqiptarët edhe serbët.
“Situata është pa dyshim ndryshe në mjediset urbane, siç është Prishtina”, u shpreh aktivistja për të drejtat e njeriut, Mila Mihajloviq. Foto: Mila Mihajloviq.
“Unë kam pasur fatin të lind në një mjedis ku serbët dhe shqiptarët, ose të paktën shumica dërrmuese flisnin gjuhën e njëri-tjetrit,” tha ai.
Në veri të lumit Ibër në Kosovë, serbët dominojnë katër komuna në kufi me Serbinë. Por pjesa tjetër është e shpërndarë nëpër Kosovë dhe mbështetet në qendrat më të afërta urbane, ku shqiptarët janë shumicë.
Edhe në qytetin e Mitrovicës, megjithëse serbët jetojnë në anën veriore të Ibrit dhe shqiptarët kryesisht në jug, ka shqiptarë që kërkojnë trajtim edhe në Mitrovicën e Veriut ngaqë aty është një spital i madh publik.
Ura kryesore është e mbyllur për trafik dhe ruhet nga ushtarët e forcave paqeruajtëse të NATO-s.
“Unë kam shkuar në spitalin e Mitrovicës së Veriut për fizioterapi për gati 10 vjet,” tha për BIRN 50 vjeçarja, Hyrije Xhemajli.
“Nuk mund ta përshkruaj mirëpritjen dhe trajtimin e shkëlqyer që kam marrë.” Xhemaili tha se që nga lufta ajo gjithashtu kryen shërbimet dentare te një dentist privat serb.
Serbët në jug të Ibrit vizitojnë mjekët shqiptarë në spitale private
Pothuajse të gjithë serbët në Kosovë kanë shtetësi serbe dhe, si të tillë, kanë të drejtë për kujdesin bazë mjekësor falas në Serbi, por trajtimi më i sofistikuar zakonisht nuk mbulohet nga sigurimi shëndetësor shtetëror. Serbët nga Kosova gjithashtu mund të përballen me burokraci dhe shpenzime shtesë.
Milanoviq, pensionist nga Graçanica, tha se çështje të tilla kishin bërë që një mik i tij serb të kërkonte trajtim në Prishtinë dhe jo në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
“Ra nga një ndërtesë dhe kishte probleme me gjakderdhje,” tha Milanoviq. “Ai është trajtuar në Prishtinë sepse kanë kërkuar para në Beograd për shkak të dokumenteve dhe procedurave.”
Shteti serb financon ambulanta dhe objekte shëndetësore në 10 komuna të Kosovës ku serbët janë shumicë. Megjithatë, ekziston një pabarazi e dukshme në shërbimet e ofruara nga katër komunat në veri të Ibrit dhe gjashtë komunat në jug në të cilat komunitetit serb është përgjithësisht më i vogël, më i izoluar dhe i varur edhe nga qendrat urbane kryesisht shqiptare.
Në rajonin e Prishtinës, për shembull, shumë spitale private kanë numër të madh të pacientëve serbë në mesin e pacientëve të tyre, veçanërisht nga Graçanica ose Shtërpca.
Një mjek shqiptar në një klinikë private në rajonin e Prishtinës, i cili foli në kushte anonimiteti për BIRN tha se ka fluks të vazhdueshëm të pacientëve serbë. Të folurit serbisht është avantazh në thyerjen e barrierave etnike, tha ai.
“Unë kam pasur gjithmonë pacientë serbë dhe kurrë nuk kam pasur probleme, ndoshta sepse e di gjuhën,” tha ai për BIRN. “Numri i tyre po rritet pasi disa sjellin anëtarë të familjes ose miq. Mendoj se gjuha për brezin e ri është më pak problem; mund të komunikojnë në anglisht.”
Në Gjilan, Todoroviq përmendi shembullin e urologut të ndjerë, Shefqet Mehmeti.
“Unë vetë kam qenë pacienti i tij dhe i kam dërguar pacientë serbë deri në ditën e fundit të jetës së tij,” tha ai. “Asnjëherë nuk ka pasur asnjë dyshim për marrjen e trajtimit të barabartë. Edhe sot ekziston një grup i madh mjekësh shqiptarë, tek të cilët pacientët serbë shkojnë për ekzaminime me dëshirë dhe pa frikë”.
Vlastimir Dimiq, serb i moshuar dhe ish-gjyqtar nga fshati Ranillug, tha se ndonjëherë shkon për trajtim në Gjilan ose në qytetin jugor serb të Vranjës.
“Nuk kam asnjë problem me përkatësinë etnike të mjekut,” tha Dimiq.
Dhuna e mospajtimet pengesë në ndërtimin e paqes
Flutra Aliu nga Lugina e Preshevës tregoi se ishte e shqetësuar për të kryer lindjen në një spital në Vranjë në vitin 2022, por ishte trajtuar shumë mirë.
“Ndoshta ngaqë kuptoj serbisht,” tha ajo. “Foshnja dhe unë ishim në rrezik, por bënë më të mirën. Unë isha në një repart me dy gra shqiptare dhe ato nuk u trajtuan mjaft mirë për shkak të pengesës gjuhësore dhe mungesës së një përkthyesi.”
Aliu tha se kishte kryer lindjen në Vranjë, pjesërisht për shkak se kishte jetuar në Kosovë dhe rrezikonte që adresa e saj në Luginën e Preshevës të shpallej joaktive, praktikë që organizatat e të drejtave thonë se prek në mënyrë disproporcionale shqiptarët. Pasi lindi, nuk kishte marrë më letra, që paralajmëronin se Aliu rrezikonte të humbiste adresën e saj.
Gjatë viteve të fundit, tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës kanë qenë në rritje; incidentet e dhunshme, sidomos në veri, ulin përpjekjet për rikthim te besimit ndërmjet komuniteteve.
“Duke punuar në sektorin civil, kam parë se përpjekjet e gjeneratave të mëparshme dhe të tanishme për të ndërtuar paqen pothuajse janë shkatërruar,” tha Mihajloviq. “Kjo përbën një kërcënim të madh për proceset e ardhshme të ndërtimit të besimit.”
Por Todoroviq tha se mbetet optimist.
“Që nga konflikti, kemi pasur 25 vjet për të treguar se çfarë lloj ofrues të shërbimeve shëndetësore jemi,” tha ai. “Çdo mbrëmje, kur kthehem në shtëpi prej punës, i bëj vetes të njëjtat pyetje: çfarë të mire bëra sot dhe a lëndova dikë? Kur numri i dytë të kalojë të parin, nuk do të bëj më këtë punë.”/BIRN