Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se do t’ iu bëhet vetting edhe pedagogëve për të cilët u shpreh se kanë vila dhe makina luksoze. Kryedemokrati, Sali Berisha i është përgjigjur këtyre deklaratave gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PD.
“Pasi i fundosi 8 vite me radhë duke i mbajtur pa kërkim shkencor, duke u marrë me sa punësime duhet të kenë, duke u mbajtur rrogat në rënie çdo vit për shkak të inflacionit dhe tani vërsulet ndaj kërkesave më minimale të pedagogëve, vërsulet sikur ta kishte nxjerrë Enver Hoxha nga hunda. Vërsulet ndaj universiteteve dhe u tregon vettingun. Kush është ky që i tregon vettingun? Është kreu i organizatës më kriminale në Europë. Ka fytyrë tu kërkojë vetting pedagogëve ky, që parkun rreth shtëpisë 5 mijë m2 tha e bleva me 2 dollarë. Adriatik Llallën e akuzuan se ka bërë rivlerësimin e pasurisë në përputhje me ligjin. Ndërkohë që parku i këtij është në zonë të ndaluar. Ky që u tregon vettingun pedagogëve, ka saraje 57 m të gjata themelet”.
Sipas tij “Ky kërcënon me mbyllje universitetet në Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë dhe u thotë “u mbylla po u çuat në grevë”. Ka çuar hordhitë tatimore poshtë e përpjetë për të kërcënuar. Kulmon se do marrë studentë nga jashtë, ndërsa shqiptarët nuk i lejon se i urren dhe u thotë “keni mesatare të ulët”. Ky po sulmon për të shkatërruar elitën shqiptare. Ky do të krijojë elitën e patronazhistëve”.