Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë ekstradimin nga Austria të një biznesmeni turk, për t’u përballur me drejtësinë amerikane në shtetin Jutah (Utah) nën akuzat për pastrim parash dhe mashtrime në procesin e transferimit elektronik të parave, tha të hënën Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Sezgin Baran Korkmaz pastroi më shumë se 133 milionë dollarë të ardhura nga mashtrimet, përmes llogarive bankare që ai kontrollonte në Turqi dhe Luksemburg, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Drejtësisë.
Sipas deklaratës, zoti Korkmaz u arrestua në Austri të shtunën pas një kërkese të drejtësisë amerikane, pas zbardhjes së një padie të re që e akuzon atë për pastrim parash, mashtrime në transferimin elektronik të parave dhe pengim të një procedure zyrtare. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të identifikonte avokatin e tij për komente.
Biznesmeni po hetohet gjithashtu edhe në Turqi. Prokurorët turq arrestuan në dhjetor 10 drejtues që punonin në kompanitë e Korkmaz-it, pasi Bordi i Hetimit të Krimeve Financiare të Turqisë (MASAK) tha se kompanitë ishin përdorur për pastrim parash, njoftoi agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu.
Ambasadori turk në Austri i tha agjencisë së lajmeve “Dogan News” të dielën se Korkmaz u arrestua të shtunën në një qytet rreth 260 kilometra nga Vjena dhe se Turqia kishte filluar me autoritetet austriake një proces ekstradimi. Diplomacia turke nuk iu përgjigj telefonatave për të komentuar mbi rastin. Ende nuk është e qartë se ku do të ekstradohet Korkmaz-i. Besohet se ai u largua nga Turqia në dhjetor para se të bëheshin arrestimet, shkruan VOA.
Prokurorët amerikanë thonë se të ardhurat atij e kanë zanafillën tek një skemë mashtrimesh ku ai përfitoi më shumë se 1 miliard dollarë duke mashtruar me taksat për prodhimin dhe shitjen e naftës që njihet si “biodiesel” nga kompania Washakie Renewable Energy LLC në shtetin Jutah (Utah). Kompania nuk iu përgjigj telefonatave për koment.
Dyshohet se Korkmaz dhe rrjeti i tij përdorën fitimet nga skema e mashtrimit për të blerë kompaninë ajrore turke Borajet, hotele në Turqi dhe Zvicër, një jaht me emrin Mbretëresha Anne dhe një vilë dhe një apartament në Bosfor të Stambollit, thuhet në deklaratën e publikuar nga Departamenti i Drejtësisë