Pastrim parash, beton, jahte, autovetura 4×4… dhe ndërtuesit që presin sërish rritje të çmimeve

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Vetëm 4 ditë më parë Shqipëria u konsiderua si një prej tre shteteve me çmimet më të shtrenjta të ndërtimit për metër katror në Europë, ose thënë ndryshe me kohën më të gjatë që i duhet një familjeje mesatare për të blerë një shtëpi.

Kjo, sepse çmimet e metrave katrorë të ndërtimeve të reja në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë kanë njohur vetëm rritje galopante në 15 vitet e fundit.

Megjithatë, sektori i ndërtimit i cili në vitet e fundit ka njohur një “bum” të ri, është sërish “optimist” për një rritje të vazhdueshme për ecurinë e çmimeve të banesave.

Balanca e përgjigjeve për ecurinë e çmimeve shënoi 6.6% rritje në 3-mujorin e tretë. Pritshmëritë për çmimet e banesave shënuan rritje për të tretin 3-mujor radhazi.

Kjo ishte pritshmëria më e lartë për rritjen e çmimeve që nga 3-mujori i parë i vitit 2011. Pavarësisht se popullsia e vendit po tkurret me ritme të shpejta prej emigracionit të lartë dhe rënies së lindshmërisë, sektori i ndërtimit po përjeton një bum rritje.

Ofertës së lartë po i përgjigjet gjithashtu edhe një kërkesë e lartë për banesa, e cila po ushtron presion për rritjen e çmimeve. Kjo ecuri është konfirmuar edhe nga matje të tjera.

Anketimi i BSH-së

Banka e Shqipërisë në një anketë në operatorët e tregut të pasurive të paluajtshme gjeti se, çmimet e banesave në rang vendi shënuan rritje me 4.9% në 6-mujorin e parë të vitit.

Rritja e ishte e ngjashme me pritshmëritë e ndërtuesve në këtë periudhë.

Në veçanti për tregun kryesor, Tiranën, çmimet u rritën edhe më shumë se mesatarja kombëtare, me 6.5%. Çmimet mesatare në Tiranë raportohen të rritura ndjeshëm në zonat jashtë qytetit, ndërsa janë raportuar rënie të lehta në zonat qendrore dhe periferi.

Zonat bregdetare raportuan çmime mesatare rreth 15% më të ulëta, ndërsa zonat e tjera shfaqën ndryshime të vogla. Edhe çmimet e qirasë për gjysmën e parë të vitit raportohen të rritura.

Rritja e sektorit të ndërtimit mbështetet edhe nga tregues të tjerë. Sipas INSTAT në 3-mujorin e dytë 2020, aktiviteti i pasurive të paluajtshme arriti një nivel historik të lartë, të paktën që nga fillimi i vitit 2008, kur raportohen të dhënat.

Sipas INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime korente, i papërshtatur sezonalisht, për aktivitetin e pasurive të paluajtshme ishte gati 26 miliardë lekë, ose rreth 210 milionë euro, me një rritje të ndjeshme nga 3-mujori i parë 2020 (shih grafikun e parë).

Në fakt, të dhënat e INSTAT tregojnë se, ky sektor ka shënuar një rritje të fortë që nga 3-mujori i parë i vitit 2018.

Në 3-mujorin e dytë 2020, ekonomia ra me 10.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas INSTAT.

Tkurrje kishin të gjithë sektorët, me përjashtim të bujqësisë që u rrit me 2.6% dhe aktivitetit të pasurive të paluajtshme, që u zgjerua me 5.5%.

Beton edhe gjatë pandemisë

Nëse ka pasur një sektor që nuk ka pushuar asnjë ditë gjatë kulmit të pandemisë, kur pothuajse të gjithë ishin të mbyllur në shtëpi, ishte sektori i ndërtimit.

Në Tiranë dhe kudo nëpër Shqipëri edhe në ditët e izolimit dy mujor me pretekstin e pandemisë, syri të shikonte vetëm betoniere dhe kamionë dheu që lëviznin kudo rrugëve të boshatisura nga automjetet private.

Të dhënat zyrtare të INSTAT bëjnë të ditur se, në 3-mujorin e dytë 2020, aktiviteti i pasurive të paluajtshme arriti një nivel historik të lartë, të paktën që nga fillimi i vitit 2008, kur raportohen të dhënat.

Sipas INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime korente, i papërshtatur sezonalisht, për aktivitetin e pasurive të paluajtshme ishte gati 26 miliardë lekë, ose rreth 210 milionë euro, me një rritje të ndjeshme nga 3-mujori i parë 2020 (shih grafikun e parë). Në fakt, të dhënat e INSTAT tregojnë se, ky sektor ka shënuar një rritje të fortë që nga 3-mujori i parë i vitit 2018.

Në tremujorin e dytë 2020, ekonomia ra me 10.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas INSTAT. Tkurrje kishin të gjithë sektorët, me përjashtim të bujqësisë që u rrit me 2.6% dhe aktivitetit të pasurive të paluajtshme, që u zgjerua me 5.5% (shih grafikun e dytë).

60-70% e blerjeve, me para informale

Në Tiranë po lartësohen çdo ditë qiellgërvishtësit, ndërsa çmimet kanë arritur deri në 4 mijë euro për metër katror. Më i shtrenjti në rajon është Beogradi, me apartamente që arrijnë deri në 5500 EURO/ për apartamente të cilësisë së lartë, kryesisht shumë pak në numër dhe në projekte me zhvillues të huaj.

Në Shqipëri, krahu i lartë i çmimeve u përket kryesisht projekteve të reja në proces zhvillimi e sipër në qendër të kryeqytetit.

Një apartament prej 100 metra katrorë në qendër të qytetit kushton midis 350-400 mijë euro, një shumë e lartë për një vend që është ndër më të varfrit e Europës.

Nga po financohet ky bum i pasurive të paluajtshme, që nuk përligjet me realitetin e një ndër vendeve më të varfra të Europës, që ka të ardhura për frymë sa 31% e mesatares europiane?!

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huaja e re për blerje banesash në periudhën prill- qershor ishte rreth 5 miliardë lekë (40 mln euro), duke shënuar një rënie prej 26% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ekspertët e pasurive të paluajtshme kanë pohuar se, pjesa më e madhe e apartamenteve të shtrenjta po financohet nga burime informale.

Ata thanë se, 70% e këtyre pronave po financohet nga paraja “gri”, që nuk buron nga tregu i institucionalizuar, por nga fenomene, si: korrupsioni, evazioni, trafiku.

Rreth 90% e fashës së njerëzve të pasur në Shqipëri e kanë ezauruar investimin personal për shtëpi të parë dhe të dytë luksoze këto vitet e fundit, thonë ekspertët imobiliarë.

Blerjet që bëhen tani në zonat luksoze, nuk kanë logjikë ekonomike dhe rreth 30- 40% e këtyre blerjeve, po bëhen nga të pasurit e këtij vendi. Ndërkohë, 60-70% i stokut të mbetur rezulton të bëhet nga një kategori tjetër, e cila nuk i përfshin të pasurit që investojnë për shtëpi luksoze, as investitorët. Pram rezulton se këto blerje për pjesën e mbetur të bëhen nga paraja “gri”.

/Burimi: Monitor.al/ Përshtati: GazetaReforma.com/

 

 

Shpërndaje
Share.

Komento