Konfirmohen tre rastet e para me mutacionin britanik të virusit në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i klinikës Infektive, Izet Sadiku. Ai tha se tre pacientët e kaluan virusin pa shqetësime serioze.
Kujtojmë se dje u konfirmua zyrtarisht nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirqënies Sociale, Orgeta Manastirliu, se mutacioni britanik ndodhet dhe në vendin tonë, pavarësisht zërave që qarkullonin se ky virus endej më herët në territorin shqiptar.
Drejtori i klinikës, shtoi se një hulumtim i publikuar ditë më parë tregon se varianti britanik përveç se përhapet më shpejt, ka dhe vdekshmëri më të lartë.
Po ashtu, Sadiku theksoi se studimet tregojnë se rreth 83% e njerëzve që kanë kaluar Covid-19 kanë imunitet deri në 6 muaj, ndërsa 17% prej tyre mund të riinfektohen edhe para 6 muajve.
Lidhur me rastet e reja në Kosovë, shifrat e djeshme ishin rekord sa u përket vdekjeve dhe infektimeve.
Dje u rregjistrua numri më i lartë i personave me koronavirus për këtë vit me 730 infeksione të regjistruara.Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 6 persona, duke e çuar në 1688 numrin total të vdekjeve që nga fillimi i pandemisë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bëri thirrje për respektimin e masave duke paralajmëruar një tendencë në rritje të rasteve me vetëm 201 të tilla të raportuara në Prishtinë.
Gjithashtu IKSHKP apeloi institucionet për inspektim të respektimit të masave dhe vendosjen e kufizimeve të reja.