Një tjetër drejtori e posaçme do të ngrihet në Kryeministri për kontrollin e administratës dhe ndërveprimit me qytetarët. Kryeministri Rama parashikon që të “ngrejë” “Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje”, e cila do të kontrollojë gjithë administratën. Kjo drejtori, do të ketë në krye një person të emëruar nga vetë kryeministri Edi Rama, që gjithashtu do t’i përgjigjet vetëm këtij të fundit për realizimin e objektivave të kërkuar. Agjencia, në bashkëpunim me institucionin e administrates shtetërore, heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative të institucionit të administratës shtetërore. Mes kompetencave, gëzon të drejtën e masave disiplinore për funksionarët e institucioneve që shkelin vendimet e saj, deri në largim nga puna.
“Agjencia për Bashkëqeverisjen gjithashtu, mund t’i propozojë ministrit përgjegjës ose Kryeministrit lirimin nga detyra të titullarit të organit administrativ: “Çdo person që shkel dispozitat e këtij ligji dënohet me gjobë, si më poshtë: a) Institucioni i administratës shtetërore nga 10 000 derinë 60 000 lekë; b) Nëpunësi publik ose titullari i institucionit publik, brenda personit juridik, i cili është përgjegjës për shkeljen, nga 30 000 derinë 80 000 lekë,“-thuhet në projektligj. Mesa duket kreu i qeverisë ka vendosur që të çojë deri në fund atë që tha para deputetëve më 10 maj. Përballë tyre ai paralajmëroi se do të pastronte administratën.
“Do ta pastrojmë deri në fund administratën nga njerëz që na kanë nxirë faqen. Me qartësinë që siç kemi bërë me policët, me infermierët dhe të tjerët, do të vijohet edhe me administratën. Një rrugë e re në bazë të meritave duhet të hapet për të gjithë ata vajza, gra, burra e djem. Kjo është sfida e vazhdueshme, prandaj jeni gati që të vazhdojmë të përballemi me çdo sfidë,”- tha Rama. Ndërkohë që dje, në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, Rama dha lajmin se do të krijohet një agjensi për mediat dhe informimin, e cila bazohet në disa modele që janë praktikuar dhe ne shtete të tjera të botës. Rama shtoi se kjo agjenci siguron njohjen e institucioneve të qeverisjes qendrore me gjithçka lidhet drejtpërdrejtë me publikun dhe qëndrimin e publikut e medias mbi çështje me interes publik. Megjithatë edhe pse e sapoprezantuar, nisma u kundështua. Partia Demokratike me anë të një reagimi zyrtar, u shpreh se agjensia cënon lirinë e shprehjes, duke kërkuar edhe reagimin e Këshillit të Medias dhe Etikës.