Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pushuar akuzat ndaj 6 zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilët ishin marrë të pandehur për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publikë”, të kryer në bashkëpunim.
Bëhet fjalë për Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj dhe Admir Remzi Pahumi. Sipas njoftimit, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte paraqitur në gjykatë kërkesën për gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 175/1/4 të vitit 2024, në ngarkim të këtyre të pandehurve.
Gjykimi është zhvilluar me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim, GJKKO, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri, me vendimin nr. 22, datë 12 mars 2026, vendosi pushimin e akuzës për secilin prej tyre për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.
Sipas vendimit, akuza ishte ngritur mbi bazën e nenit 258 dhe 25 të Kodit Penal, sipas parashikimit para ndryshimeve të bëra me Ligjin nr. 43/2021. Për të gjashtë të pandehurit, gjykata ka arritur në përfundimin se ndjekja penale nuk mund të vazhdojë më për shkak të parashkrimit.
Në vendim përcaktohet gjithashtu se shpenzimet gjyqësore mbeten siç janë bërë.
Palët kanë të drejtën ta ankimojnë këtë vendim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve, afat që nis nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.







