Momente paniku janë regjistruar në një lokal në Tiranë, ku një konflikt i çastit mes dy personave ka degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit, duke rrezikuar jetën e klientëve të pranishëm.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Myslym Keta”, ku sipas policisë, shtetasi Agim Visha, 50 vjeç, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin I. D., 38 vjeç. Në kulmin e sherrit, ai ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë me mulli dhe ka tentuar ta vrasë 38-vjeçarin, duke krijuar situatë të rëndë dhe frikë te personat që ndodheshin në ambientet e lokalit.
“Ky shtetas dyshohet se pasditen e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali, në rrugën “Myslym Keta”, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin I. D., 38 vjeç, dhe ka tentuar ta vrasë atë, me armë zjarri pistoletë me mulli, që e mbante pa leje.”
Pas tentativës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, 50-vjeçari është kapur dhe arrestuar menjëherë nga shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Respond”.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.








