Teksa maturantët janë të vetmit që do rikthehen në bankat e shkollës për të përsëritur njohuritë lidhur me provimet e Maturës Shtetërore, mënyra e korrigjimit të tyre do jetë ndryshe nga vitet e tjera.
Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) Rezana Vrapi këtë të premte ka njoftuar se korrigjimi do të bëhet në mënyrë digjitale, pasi i gjithë testi do të jetë i organizuar në pyetje me alternativa.
“Nxënësit pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procesohet përmes skanerave. Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur. Sërish, bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar,” ka thënë Vrapi.
Ndër të tjera Vrapi ka theksuar se me datë 1 korrik do të fillojë procesi i printimit të diplomave të Maturës Shtetërore, i cili do të jetë në dy faza.
Në fazën e parë, do të printohen diplomat për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit, ndërsa ditët në vijim, do të mbyllet edhe procesi për pjesën tjetër të maturantëve.
Kujtojmë se më 28 prill, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, teksa njoftoi vijimin e procesit mësimor të ndërprerë më 9 mars për shkak të pandemisë, bëri me dije se të vetmit që do rikthehen në bankat e shkollës më 18 maj deri më 5 qershor janë maturantët.
Maturantët do orientohen mbi provimet e maturës, ku nuk do përfshihen mësimet e zhvilluara nga shtëpia, teksa provimet do realizohen mes datave 8 dhe 18 qershor, nën masat striket dhe rregullave të pandemisë dhe provimet do bazohet tek njohuritë e marra nga klasa e 10 deri në klasën e 12, para pandemisë, si edhe do ketë lehtësime.
Deri tani, Ministria e Arsimit ka njoftuar se testi i maturës do të jetë i gjithi me alternativa dhe do të jenë gjthsej 60 pyetje, dhe si rrjedhojë do zgjasë 60 minuta.
Nxënësit nuk do kenë ese, as në lëndën e gjuhës shqipe, as në gjuhën e huaj, si edhe do u kërkohet të përgjigjen për njohuritë që kanë marrë para së të niste mësimi online.