Turizmi shqiptar duket se është “pacienti” më i sëmurë nga pandemia e koronavirusit në vendin tonë.
Mbyllja në karantinë për disa muaj dhe më pas bllokimi i kufijve për të dalë dhe për të hyrë në vendin tonë, po tregojnë ditë pas dite efektet e sëmundjes virale që më shumë se cilin do goditi turizmin.
Në ditët e fundit shifrat zyrtare të raportuara për krizën ekonomike që ka kapur vendin, kanë masur në qendër pikërisht sektorët më kyç mes të cilëve turizmi.
Vetëm sot është raportuar për rreth 1300 persona që dolën pa punë në bashkinë e Lezhës nga Marsi deri në Gusht, si pasojë e mosfunksionimit të sektorit të turizmit.
Sipas drejtorit të Zyrës së Punës, Fatmir Delishi, sektori i turizmit është më i dëmtuari nga pandemia e Covid-19, e cila shtoi radhët e të papunëve.
Papunësia në Lezhë
Situata e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia e Covid-10 ka trefishuar numrin e të papunëve në Lezhë.
Nga 740 punëkërkues që kishte në fillim të vitit, numri i tyre shkoi në 2070.
“Jo vetëm që është rritur numri i të papunëve në mënyrë galopante, por është rritur dhe numri i punëkërkuesve, si dhe të punësuarve të sektorit privat”, – tha drejtori i Shërbimit të Punësimit në Lezhë, Fatmir Delishi.
Delishi shton se, këtë vit edhe kërkesat për punë nga sektori i turizmit kanë qenë të ulëta.
“Sezoni turistik, sidomos ofertat e bizneseve kanë qenë shumë të ulëta në krahasim me vitin e kaluar” – tha Delishi.
Kriza ekonomike e krijuar nga pandemia, ka detyruar shumë sipërmarrje private që të shkurtojnë numrin e punonjësve, e kjo është reflektuar në ekonominë e shumë familjeve në rajonin e Lezhës.
Të dhënat e fundit të INSTAT
Ekonomia shqiptare shënoi një rënie prej 10.2% në 3-mujorin e dytë 2020, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si rrjedhojë e masave të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e Covid-19, sipas INSTAT.
Kjo është tkurrja më e fortë që prej vitit të krizës së piramidave më 1997. Të gjithë sektorët kanë rezultuar me tkurrje, që më e lartë ishte në Tregti, Transport, Turizëm (Akomodim) dhe Shërbim ushqimor (-28%), ndërsa ka rezultuar me rritje vetëm bujqësia (+0.52%) dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme (real estate), me shitjet e apartamenteve që nuk rezultojnë të jenë ndalur as nga pandemia (+2.52%).
Ky është 3-mujori i tretë radhazi me rënie vjetore (tremujori i fundit 2019 -0.15%, tremujori i parë 2020 -2.5%), duke e futur zyrtarisht ekonominë vendase në recesion.
Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0,70 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,29 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuuan negativisht me -1,85 pikë përqindje.
Sa i përket ndryshimeve në krahasim me 3-mujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) vlerësohet me një rënie prej 8,80%. Aktiviteti Tregti, Transport, Turizëm (Akomodim) dhe Shërbim ushqimor shënoi një rënie prej 28,38%.
Vetëm Blendi Klosi, optimist
Ministri i Turizmit Blendi Klosi, është personi i vetëm në Shqipëri i cili nuk pranon në asnjë mënyrë se këtë vit sektori i turizmit në vend, ishte në pikën e tij më të ulët, gati në falimentim.
Justifikimet e ministrit Klosi, për mungesën e krizës në turizëm, ishin gati qesharake dy ditë më patrë kur i ftuar në emisionin emisionin “Çim Peka LIVE” në “Syri TV”, u përball me “breshërinë” e pyetjeve dhe argumenteve të gazetarëve.
Sipas ministrit Klosi, sezoni turistik nuk ka përfunduar ende, dhe se ai do të zgjatet deri në nëntor.
“Nuk është mbyllur ende sezoni turistik, Shqipëria ka mundësi të ketë 12 muaj turizëm. Nga 1 qershori kemi turizëm të qëndrueshëm. Shqipëria ia doli falë disa marrëveshjeve që bëmë me disa operatorë turistikë”,- tha Klosi, duke cituar marrëveshjet me Bjellorusinë dhe Poloninë.
Megjithatë, Klosi pranoi faktin se shumica e turistëve që hynë në vend ishin nga vendet e rajonit, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia.
“Objektet mikpritëse kanë bërë biznes afërsisht sa 2019-a, disa edhe më mirë”,- tha më tej Klosi në kuadër të deklaratave propagandistike.
Por kjo deklaratë e tij, u hodh poshtë madje me shifra nga gazetari Klodian Tomorri, i cili tha se, kanë hyrë në vend gati tre herë më pak turistë se në vitin 2019.
/GazetaReforma.com/