Covid-19 ndonëse ka pushtuar botën dhe ka gjunjëzuar edhe shtetet më të fuqishme, mbetet ende me shumë të panjohura. Megjithatë, sikundër kanë deklaruar edhe ekspertët një gjë e dimë mirë për të dhe ajo ka të bëjë me mënyrën se si të mbrohemi prej këtij virusi. Përveç larjes së duarve, higjienës personale, mbajtjes së maskave, një nga rregullat më të rëndësishme të pandemisë së koronavirusit është distancimi social. Për të respektuar këtë rregull qeveria ka marrë një sërë masash.
Disa javë më parë, teksa lajmëroi hapjen totale të vendit, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se mbetet në fuqi vendimi që ndalon tubimet politike, apo protestat e ndryshme që mund të organizohen nga njerëzit. Madje disa ditë më parë Policia shpërndau me forcë disa përfaqësues të Shoqatës së Transporteve, që po protestonin para Ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar të drejtat e tyre.
Ndërkohë ditën e djeshme, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu gjatë një inspektimi të përbashkët, paralajmëruan se nuk do të ketë tolerime për ata që thyejn rregullat, pasi situata me Covid-19 është alarmante. Ekspertë të ndryshëm kanë bërë me dije se Covid-19 po prek edhe të rinjtë dhe se në spitalin Infektiv janë rritur shtrimet e personave nën 35-vjeç. Madje mjeku infeksionist Tritan Kalo bëri një thirrje ditën e sotme për të rinjtë që të tregohen të kujdesshëm, duke treguar me fakte pasojat që virusi shkakton tek ata.
Por, fatkeqësisht, provat tregojnë se të gjitha janë vetëm fjalë boshe dhe në të vërtetë shteti po e anashkalon situatën, duke bërë jo tolerime, por duke shkelur edhe vendimet e veta. Më 3 maj ministrja e Arsimit Besa Shahini informoi maturantët se një event i rëndësishëm në jetën shkollore, siç është mbrëmja e matures, këtë vit nuk do zhvillohet.
“Për fat të keq, jo. Mbrëmjet e maturës nuk do të lejohen. Janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve, kështu që sivjet ato duhet të anulohen dhe të gjejmë forma të tjera për të festuar”, njofton Shahini.
Mirëpo, si duket ky vendim është lënë vetëm në letra, sepse në realitet mbrëmja e maturës jo vetëm që është zhvilluar, por nuk ka patur asnjë rregull, protokoll sigurie dhe aq më pak distancim social. I tillë është rasti i vajzës së ish-zv/kryeministrit Niko Peleshi, e cila nuk ka ngurruar që pamjet t’i ndajë me miqtë e saj në rrjetet sociale. Aleksia Peleshi e ka festuar me miqtë e saj brenda një ambienti të mbyllur, në kohën kur do të duhet që këto aktivitete të mos mbaheshin, në respektim të aktit normativ të vendosur nga qeveria.
Mirëpo, si Aleksia ka dhe shumë raste të tjera dhe “Gazetareforma.com” ka arritur të sigurojë disa pamje nga mbrëmjet e maturës që janë zhvilluar këto javë, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në rrethe. Sikur Covid-19 të mos ekzistonte këta të rinj janë grumbulluar, duke festuar pa të keq, duke hedhur pas 3 muaj mund të cilat i kaluam të izoluar në shtëpi.
Vlen të theksohet se përgjegjësia nuk bie aspak mbi 18-vjeçarët, që duan të kurorëzojnë 3 vitet e gjimnazit me mbrëmjen e maturës, por tek autoritetet që bien ndesh me vendimet e veta. Padyshim kjo tregon edhe një mungesë përgjegjësia edhe nga drejtoritë e gjimnazeve, që nuk kanë respektuar vendimin e Ministrisë së Arsimit. Teksa të gjithë e dimë tashmë se mbrëmja e maturës po zhvillohet në mbarë vendin, mbetet ende e dyshimtë se si ka mundësi që Besa Shahini, Ogerta Manastirliu, apo kryeministri Rama nuk e kanë mësuar se çfarë po ndodh. Edhe pse po marrim si të mirëqenë faktin se janë të angazhuar dhe nuk janë informuar rreth situatës, në pikëpyetje të madhe vendoset roli i Task-Forcës, që pretendohet të jetë në terren për të bërë të gjitha inspektimet e mundshme. Për të mos arritur më pas te pyetja e madhe se përse qeveria ndalon tubimet dhe protestat dhe rri duarkryq ndaj festave?