Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë me gazetarët ku ka folur për lajmin që po qarkullon së fundmi se do të largohet nga presidenca për një post qeveritar, çështjen e detit me Greqinë dhe paketën antishpifje.
Më parë Meta pati deklaruar se për hir të krizës politike në vend gjithmonë ka qenë i gatshëm për të lënë edhe edhe postin e kreut të shtetit. Por, ditën e sotme presidenti rrëzoi poshtë të gjitha zërat dhe tha se do të qëndrojë në këtë post deri në mbarim të mandatit, për të mbrojtur Kushtetutën.
“Unë prej kohësh kam qenë i gatshëm që për hir të marrëveshjeve të cilat zgjidhin krizën të lija edhe postin e presidentit që të gjeje një zgjidhje për vendin. Por dua t’ju siguroj pa hyrë në komente që kërkojnë të tërheqin vëmendjen nga çështja e garantimit të zgjedhjeve të lira, t’ju them se në të gjitha rastet unë premtimin që kam bërë që ky institucion deri në 4 kori 22 do të jetë kështjellë e pamposhtur do ta mbaj edhe në të gjithë mënyra. Për këtë të jeni të qetë. Deri në 24 korrik, por ky nuk është problemi i vetëm edhe gjatë viteve ka qenë institucion që e ka mbrojtur kushtetutën. Për sa i takon cështjes së zgjedhjeve për muaj ka vetëm një gjë rëndësi të jenë të lira dhe të ndershme. Vetë kushte e BE e kanë një kërkesë ulimative”, u shpreh Meta.
Më tej presidenti Meta u pyet edhe për çështjen e shumë përfolur të ditëve të fundit, zgjerimin territorial të Greqisë në detin Jon. Në lidhje me këtë temë Meta i ka dërguar kryeministrit Rama një letër, por kreu i shtetit theksoi se akoma nuk ka marrë një përgjigje në lidhje me këtë.
Ndër të tjera presidenti ka theksuar se në lidhje me këtë çështje ai zbaton vetëm kushtetutën dhe nuk mban qëndrime të dyfishta.
“Është një çështje mjaft sensitive prej të paktën 12 vitesh. Është një problem i ndjeshëm edhe brenda vendit. Presidenti ka qenë koherent dhe tepër bashkëpunues me qeverinë këtu, me institucionet tona.
Presidenti në mënyrë më bashkëpunues i ka plotësuar detyrimet e tij dhe ka qenë bashkëpunues me qeverinë. Kemi dërguar një kërkesë zyrtare në përmbushjeve të detyrimeve që ka presidenti, ende nuk kemi ndonjë përgjigje. Jemi të duruar. Nga ana e institucionit të presidentit, kanë shkuar edhe informacione të tjerë më parë, të cilat nuk kanë marrë përgjigje. Presidenti nuk luan me një çështje të tillë që ka të bëjë me marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Greqisë.
Qëndrimi i presidentit ka qenë i qartë, respektimi i kushtetutës dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet tona. Presidenti nuk mban as qëndrime të dyfishta apo të trefishta. Por kërkon që kjo çështje të zgjidhet sa më parë, jo të minojë këtë marrëdhënieve përmes qëndrimeve jo të sinqerta. Për mua miqësia me Greqinë është mjaft e rëndësishme të mbrohet zhvillohet dhe forcohet”, ka thënë Meta.
Ndërkohë në lidhje me paketën anti-shpifje, Meta tha se thirrja e djeshme e raportuesit të Këshillit të Europës për qeverinë që të tërhiqej nga paketa anti-shpifje dhe të nisin të nismë të re në një linjë me standardet europiane, është një kambanë alarmi dhe se këtë shqetësim e kishte ngritur prej kohës por nuk është dëgjuar nga mazhoranca. Meta tha se qeveria duhet të dëgjojë mirë këtë thirrje pasi e ka detyrim të sigurojë zgjedhje të lira.
“Edhe për mediat audivizive sipas dekretit të rikthimit në Kuvend që ishte në përputhje me opinionin e Venecias.Thirrja e djeshme e raportuesit të KiE është një kambanë alarmi që duhet të dëgjohet mirë nga mazhoranca sidomos në këtë periudhë paraelektorale, mazhoranca ka detyrimin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme siç e rekomandon OSBE”- tha Meta.