Shoqata e bankave ka hedhur idenë që të detyrohen tregtarët dhe njësitë e shërbimeve të mbajnë sisteme të pagesës me karta krahas cash-it. Por përse tregtarët rezistojnë ta përdorin këtë alternativë? Njëra arsye mund të jetë mungesa e besimit. Por më kryesorja rezulton të jetë kostoja.
Për këtë problem iu drejtuam Spiro Brumbullit, sekretar i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB). I pyetur nga Gazeta Reforma, se a janë pengesë kostot në përhapjen e sistemeve POS për pagesat me karta, ai u shpreh:
“Shitësi paguan një fee për përdorimin e POS, pra për pranimin e pagesave me kartë. Kjo fee ka ardhur duke u ulur. Rritja e volumeve të transaksioneve me karta ndikon pozitivisht në raportin e tregtarëve me koston. Shitësit që e kanë, në shumicë, nuk ankohen. Më shumë duhet bërë te pajisja e atyre që nuk kanë”, deklaroi Brumbulli.
Kostot
Ne u interesuam tek disa njësi që e kanë këtë pajisje dhe mësuam se pjesa që i mbahet shitësit për çdo shitje shkon më tepër se sa 2% të çmimit të mallit apo shërbimit të shitur, vlerë e cila i kalon klientit. Ata shprehen se do të donin të ulej kjo kosto nga bankat në mënyrë që të mos ndikojë në çmimet e mallrave që tregtojnë.
Vendimin se kush do të paguajë më shumë në përdorimin e sistemit EFTPOS në periudha të ndryshme e ka banka. Banka i transferon në llogari shitësit apo tregtarit të pakicës që përdor makinën POS një vlerë monetare. Sasia prej vlerës monetare që i mbahet shitësit quhet tarifa zbritëse për tregtarin (Merchant Discount Fee). Në këtë mënyrë Banka nuk i paguan tregtarit apo shitësit vlerën e vërtetë të mallit apo shërbimit, realizimi i shitjes të së cilit është bërë i mundur nëpërmjet kartës së kreditit.
Çmimi dhe mirëmbajtja e POS
Sistemet e plota të shitjes me pakicë POS variojnë në çmime prej $ 1,500 deri në 20,000 $. Shitësit me pakicë mund të gjejnë një regjistër të thjeshtë më pak se 200 dollarë. Kostoja mesatare vjetore të mirëmbajtjes së një terminali fizik POS është 12,044 lekë $103.6 (Burimi: Banka e Shqipërisë)
Kartat dhe sistemi POS
Në Shqipëri ka në përdorim shumë lloje kartash, si karta krediti, karta debiti (këto janë më të përhapurat), karta që funksionojnë me pagesa mujore, karta të çeqeve, e deri tek kartat e karburanteve, për blerje në këto pika. Por 90 përqind e kartave përdoren vetëm për tërheqjen e pagës nga ATM-të
Sistemi POS, sipas bankierëve do të ndihmohej më shumë nëse lëshoheshin më tepër karta krediti, e thënë më thjeshtë duhet liruar dora në dhënien e tyre. Banka që ka krijuar sistemin e kartës së kreditit, njëlloj si përpiqet të gjejë përdorues karta krediti, duhet të përpiqet të gjejë shitës që të pranojnë sistemin EFTPOS dhe të vendosin pajisjen POS.
Kartat e kreditit
Në Shqipëri bankat japin karta krediti vetëm për një “elitë” klientësh. Kjo është një klishe që e pengon zhvillimin e pagesave me karta. Sepse një përdorues i kartës së debitit që aty tërheq rrogën, nuk është i prirur të shpenzojë nga kjo shumë për blerje. Nga vëzhgimet mbi të dhënat e marra nga banka e nivelit të dytë, por dhe nga raportet vjetore të bankave të tjera duket qartazi se vonesat në pagesa apo mos pagesat e kartave të kreditit nuk janë bërë ende një problem për bankat.
Profesionet që bankat mendojnë se do të harxhojnë më shumë, sipas studimeve të BSH,- dhe si rrjedhim do t’i sjellin bankës më shumë përfitime janë profesionet e bankierit, doktor, vetëpunësuar, manaxher, nëpunës shëndetësie dhe sipërmarrës. Pikërisht këtyre aplikantëve, banka u ka dhënë karta krediti me limitet më të larta. Në grupimet e kriterit “profesioni” shpenzimet më të mëdha i kanë grupimi i doktorëve me mesatarisht 417,448 lekë të ndjekur nga bankieret dhe menaxheret me respektivisht 247,680 dhe 213,741 lekë. E ardhmja është e pagesës elektronike, por që të bëhet realitet në Shqipëri duhet që së pari, kartat e kreditit të masivizohen dhe së dyti të ulen kostot për shitësin.
/GazetaReforma.com/