OSHEE bën kërdinë! Mbifaturime marramendëse për muajin janar

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Nëse keni mbetur të shtangur kur keni marrë në dorë faturën e energjisë elektrike për muajin janar, nuk jeni vetëm. Qytetarë të shumtë shqiptarë, në muajin e parë të vitit 2019 janë përballur me fatura me shifra tejet të larta, por kjo nuk lidhet aspak me periudhën e festave kur në përgjithësi shpenizmet janë më të larta.

OSHEE duket se po vijon fushatën e vjedhjes së qytetarëve duke mbifaturuar energjinë elektrike, që prej vitesh është kthyer gati në një fakt të mirëqenë. Burime të sigurta për “gazetareforma.com” kanë bërë me dije se veçanërisht në muajin janar OSHEE ka bërë kërdinë pasi faturat e energjisë elektrike janë fryrë në mënyrë abuzive në të gjithë vendin.

Prej vitesh Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka qenë subjekt i akuzave e denoncimeve të shumta nga ana e qytetarëve përsa i përket mbifaturimeve, mirëpo ndër vite, asnjë masë nuk është marrë ndaj kompanisë.

Sakaq, OSHEE thuajse gjithnjë këtë problem e ka etiketuar si “keqfaturim”, pra lexim të gabuar të matësve nga ana e faturuesëve.

Por duke qenë se ky “keqfaturim” vjen gjithnjë në vlerë të shtuar e jo të zbritur për qytetarët, duket qartë se ky fenomen në fakt është thjesht një tentativë e OSHEE për të kompensuar humbjet e mëdha që vijnë si pasojë e amortizimit të rrjetit dhe korrupsionit.

Gjithçka duket se lidhet me “Planin e Rimëkëmbjes së Energjisë Elektrike” të shpallur nga qeveria shqiptare në vitin 2015, ku premtohej një reduktim drastik i humbjeve në sektorin e energjisë elektrike: nga 37.6% në vitin 2014 (pas ndërprerjes së kontratës me CEZ), në 8% në vitin 2020.

Megjithatë, duket se pakgjë është bërë në lidhje me planin në fjalë, pasi sipas një raporti të publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë në 2018-ën, përgjatë vitit 2017 humbjet e energjisë elektrike kanë qenë në masën 26.41%, pra tejmase larg nga synimet e vendosura nga qeveria.

Ndaj mesa duket, derisa institucionet përgjegjëse si Ministria e Energjisë dhe e Infrastrukturës të vendosin penalitete për OSHEE për mungesën e eficencës dhe mungesën e investimeve që do të shmangnin këto humbje kaq të mëdha, duket se gjithçka do të mbetet në kurriz të konsumatorëve shqiptarë siç ndodh prej vitesh./gazetareforma.com

Shpërndaje
Share.

Komento