Prej 26 shkurtit, qytetarët nuk kanë më akses te një prej mekanizmave më të rëndësishëm për të ndjekur se ku shkojnë paratë e shtetit. Publikimi i të dhënave për pagesat dhe transaksionet e Thesarit nga institucionet buxhetore është ndërprerë në faqet zyrtare të shtetit shqiptar, duke lënë në errësirë shpenzimet publike dhe duke ngritur pikëpyetje serioze mbi llogaridhënien.
Sipas Open Data Albania, kjo ndërprerje nuk lidhet me ndonjë ndryshim të politikave të transparencës, por me lëvizjet e shumta në stafet IT të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI. Sipas reagimit, stafi i ri ende nuk duket të ketë kuptuar plotësisht detyrat dhe përgjegjësitë e tij, çka shton frikën se kjo situatë mund të zgjasë.
Problemi, sipas Open Data Albania, nuk është një defekt i zakonshëm teknik. Bëhet fjalë për një sistem të konsoliduar, që prej vitesh ka shërbyer si një nga instrumentet kryesore për monitorimin e shpenzimeve publike dhe për forcimin e kontrollit qytetar mbi mënyrën se si përdoren fondet e buxhetit.
Mungesa e këtyre të dhënave do të thotë se publiku nuk mund të shohë më se kush paguhet nga shteti, cilët janë përfituesit e fondeve publike dhe nëse këto para po përdoren në mënyrë të drejtë e transparente. Për Open Data Albania, ky bllokim i informacionit krijon terren të rrezikshëm për mungesë kontrolli dhe favorizime të mundshme.
Organizata paralajmëron se, në kushte të tilla, rritet rreziku që klientë të caktuar të qeverisë, institucioneve buxhetore apo edhe të vetë AKSHI-t, të përfitojnë larg syrit të publikut.
Në reagimin e saj, Open Data Albania ngre një pyetje të drejtpërdrejtë që prek thelbin e çështjes: kemi të bëjmë me paaftësi administrative apo me një errësim të qëllimshëm të shpenzimeve publike?
Për sa kohë të dhënat e Thesarit mbeten të fikura, edhe transparenca mbi financat publike mbetet e fikur bashkë me to. Dhe kur qytetarëve u hiqet e drejta për të parë si shpenzohen paratë e tyre, dyshimi bëhet i pashmangshëm.







