Oboti është një nga fshatrat më të dëmtuar nga përmbytjet e viteve te fundit në Shkodër. Banorët e tij përballen thuajse çdo vit me vërshimin e ujërave, që vijnë nga rreshjet e shiut dhe shkarkimet e hidrocentraleve. Mëgjithëse kanë kaluar 4 ditë nga fillimi i përmbytjeve, në këtë fshat me rreth 100 shtëpi, shkohet vetëm me ndihmën e automjeteve të larta të ushtrisë. Ndërkohë, banorët shprehen se ndjehen të izoluar dhe se askush nuk po interesohet për gjendjen e tyre.
Që nga viti 2010, banori i këtij fshati, Gregor Pema, përpiqet t’u japë zë shqetësimeve të bashkëfshatarëve të tij. Ai thotë se fshati ka rreth 100 shtëpi, por një pjesë e banorëve janë larguar për shkak se, përmbytjet e përvitshme kanë dëmtuar tokat dhe ekonominë e familjeve të tyre. Prej 4 ditësh, thotë Gregori, Oboti është nën ujë. Dje, uji iku 30-40 cm nga fshati, por sot u rikthye edhe më shumë. Kjo, thotë ai, e ka bërë jetesën dhe ekonominë të pasigurtë në Obot.
“Këto dëme pak kush i vlerëson. Fshatarësia jeton me këtë tokë. Mund të thotë dikush se si jeton me këtë tokë? Ata që jetojnë këtu nuk kanë të ardhura të tjera, nuk kanë rroga, jetojnë me lopë,me dele, me derra, me pula, me parcela gruri, me parcela lakrash, me sera domatesh, me janxhe. Këto janë gjërat e fshatit, të bujqësisë. Po u përmbytën këta, atëherë populli varfërohet. Por, kisha me i ba një thirrje qeverisë; fshija lotët këtij popull”.
Qëkur nisën përmbytjet në Shkodër, 4 ditë më parë, ministra, deputetë dhe opozitarë vërshuan në zonat e përmbytura, por në Obot, thotë Gregori, nuk erdhi askush, përveç forcave të ushtrisë, të cilat ai i falenderon për gatishmërinë në ndihmë të banorëve. Të gjendur prej 4 ditësh thuajse të izoluar në zonën e përmbytjes, obotasit sot kanë nevojë për mbështetje.
“Sot banorët e Obotit kanë nevojë për shumë gjana. Kanë nevojë për t’ju pru një pako ushqime tek shtëpia sepse ka familje qe nuk mund të dalin jashtë, që çelin me zor derën e shtëpisë. Kan nevojë për ndonjë thes miell, bidona ujit të pijshëm. Pika e pare, kjo është emergjenca”.
Dikur një port i rëndësishëm në breg të lumit Buna, sot Oboti gjendet i pambrojtur përballë vërshimit të përvitshëm të ujërave. Kur u ndërtua hidrocentarli i Vau të Dejës, banorët i detyruan të shpërngulen në kodra, ku u ndërtua Oboti i Ri. Por, në fillimet e demokracisë, pa marrë parasysh rrezikun, obotasit u rikthyen në shtëpitë e vjetra, në fushë, ku tashmë kanë mbetur të pambrojtur.
“Tuj u ba digat, Gjadër, Dajç, Darragjat, Bërdicë, Samrishë, Pentar e deri në Velipojë, ujnat u shkapetën vetëm në trupin e Obotit, përmbi shtëpijat e Obotit. Prandaj këtu është gjynah me ja marrë edhe taksën e tokës këtij popull derisa t’i gjendet një rrugë këtij uji.
Që pas përmbytjeve masive të 2010-tës, kur ujërat u shtrinë në të gjithë zonën e Nënshkodrës, deri në lagjet në hyrje të qytetit, janë bërë me dhjetëra studime dhe shpenzuar më shumë se 12 milion dollarë për sistemin dhe mbrojtjen e argjinaturave, e megjithatë Oboti dhe Nënshkodra vazhdojnë të përmbyten thuajse çdo vit./VOA