Policia ka vijuar me zbatimin e urdhërave të qeverisë për kufizimin e qarkullimit të makinave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Si rezultat, gjatë 24 orëve të fundit janë hequr 74 leje drejtimi, si dhe janë bllokuar mjetet.
Gjithashtu janë arrestuar edhe dy persona, një 44-vjeçar me iniciale P.H. në Berat pasi ishte në gjendje të dehur dhe një 56- vjeçar në Elbasan me iniciale I.A., pasi drejtonte mjetin në kundërshtim me urdhërin për ndalim qarkullimi.
Njëkohësisht është proceduar në Bulqizë U.T., drejtuesi motomjeti dhe pasagjeri T.T., për shkelje të urdhërit për ndalim qarkullimi.
Policia bën me dije se janë gjobitur edhe 10 persona me 10 mijë lekë të reja, 9 në Durrës, dhe 1 në Tiranë, të cilët qarkullonin në këmbë dhe me biçikleta në oraret e ndaluara.
Njoftimi i policisë
Në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga Qeveria Shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, strukturat e Policisë kanë penalizuar 74 shoferë, gjatë 24 orëve të fundit. Burime zyrtare bënë me dije se këta drejtues të mjeteve, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
Po gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 2 drejtues mjetesh, konkretisht në Berat shtetasi P. H., 44 vjeç, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe mosbindje ndaj urdhrit të Policisë për shoqërim dhe në Elbasan shtetasi I. A., 56 vjeç, pasi drejtonte mjetin në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi, të cilit gjatë kontrollit iu gjet një armë sportive pistoletë pa leje.
Gjithashtu, në Bulqizë janë proceduar penalisht shtetasi U. T., drejtues motomjeti dhe pasagjeri T. T., për drejtim motomjeti në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi dhe kundërshtim e mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Gjatë mbrëmjes së djeshme nuk zbatuan urdhrin e dhënë për qëndrimin në banesë pas orës 18:00, 10 shtetas, konkretisht 9 shtetas në Durrës dhe 1 në Tiranë, të cilët qarkullonin me biçikleta apo në këmbë, në oraret e ndaluara, pa ndonjë shkak apo arsye dhe për këtë u ndëshkuan me masën administrative 10.000 lekë. Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.