Nota e protestës çmend serbët, Vulin kërkon falje nga Rama për UÇK-në

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Çmendet ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, pas njoftimit të kryeministrit Rama, se Shqipëria do të bëjë notë proteste. Ai e quajti krijimin e “Shqipërisë së Madhe” si katastrofë dhe refuzoi të kërkojë falje për deklaratën e bërë.

“Kur ai mbeti pa argumente i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme për ndihmë. Asgjë e re, ishte kështu gjatë gjithë historisë deri në agresionin e NATO-s, dikush gjithmonë është duke thirrur për ndihmë dhe kundër serbëve. Le të kërkojë falje Edi Rama për “Shtëpinë e Verdhë”, le të kërkojë falje për mbështetjen e vrasësve nga UÇK-ja. Për vendin e Esad Pashë Toptanit, ka pak katastrofa më të mëdha se Rama, por kjo është çështje e Shqipërisë, dhe katastrofa që një “Shqipëri e Madhe” do të bënte në Ballkan është fatkeqësia e të gjithë neve që jetojmë në Ballkan, dhe kjo është arsyeja pse unë do të luftoj kundër tij,”-deklaron Vulin.

Kryeministri Rama tha dje se Ministria e Punëve të Jashtme ftoi ambasadorin e Serbisë në Tiranë për t’i dorëzuar një notë verbale, pas deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Debati nisi pak ditë më parë, kur ministri serb komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama në konferencën e përbashkët të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë.

Kryeministri shqiptar tha në konferencë që Porti i Durrësit do të jetë “de facto” port i Kosovës. Ministri Vulin, pas kësaj deklarate tha që Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Gjithashtu ministri serb fyeu shqiptarët duke iu referuar me termin ofendues “shiptarima” duke sjellë më pas reagimin e Tiranës dhe Prishtinës. Edi Rama i kërkoi llogari Presidentit Vucic, i cili u përgjigj duke thënë se “është e pamundur të përulni Serbinë”.

Rama tha se nuk do të tolerojë asnjë ofendim nga përfaqësuesit e qeverisë serbe.

“Ministria për Punët e Jashtme të Shqipërisë ka vazhduar më tutje me procesin, ambasadori i Serbisë është thirrur apo do të thirret, për t’i bërë me notë verbale vënien në dijeni të shtetit serb se asnjë gojë e shthurur në qeverinë e Serbisë nuk mund të lëndojë qeverinë e Shqipërisë, apo figurën e një ministrit apo kryeministrit të Shqipërisë”, tha Rama.

Në muajin e fundit, gjashtë deklarata u botuan në faqen e internetit të Ministrisë Serbe të Mbrojtjes në të cilën Vulin, i quajti ata “Shiptars”, duke injoruar vendimin e gjykatës në Serbi sipas të cilit termi është “politikisht i pasaktë dhe ofendues”.

Shpërndaje
Share.

Komento