Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur vendin ditën e sotme, ndërsa një grua ka mbetur viktimë e bashkëshortit të saj në Librazhd. Mëësohet se 56-vjeçari Qemal Bici ka vrarë bashkëshorten e tij me sëpatë në fshatin Dragostunjë e më pas ka varur veten në pemë. Policia njofton se grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është duke punuar për zbardhjen e rrethanave të krimit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Librazhd/ Informacion paraprak
Në fshatin Dragostunjë, Librazhd, në banesë shtetasi Q.B., rreth 56 vjeç, në rrethana ende të paqarta dyshohet se ka vrarë me mjet të mprehtë ( sopatë) bashkëshorten e tij shtetasen M.B., rreth 53 vjeçe dhe më pas ka varur veten.
Grupi hetimor nën drejtimin Prokurorisë ndodhet në vendgjarje dhe po punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes
Në 24 orët e fundit vendi tronditet sërish nga krimi në familje, pasi një ngjarje e rëndë u raportua mbrëmjen e djeshme në Shkodër. Fabian Vuka vrau motrën e tij, Diana Vuka me armë zjarri ndërsa dyshohet se viktima ishte në banesë e pajetë prej të paktën tre ditësh. Autori i krimit dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e krimit, ndërsa njihej si një person i alkoolizuar.