Zgjedhjet e 25 prillit 2020 do të jenë sprova e dytë e Lulzim Bashës në përpjekje për të rikthyer Partinë Demokratike në pushtet, që pas ngjitjes së tij në krye të partisë, në verën e vitit 2013, përmes një procesi të kontestuar nga figurat e larta të selisë blu. Tashmë në aleancë me Ilir Metën, Lulzim Basha kërkon mbështetjen e shumicës së votuesve me një sagë misteresh dhe enigmash mbi shpinë, rreth të shkuarës së tij, të ruajtura deri më sot me fanatizëm në një mjegull gënjeshtrash dhe shmangiesh të njëpasnjëshme.
Lulzim Basha është i vetmi politikan shqiptar, i cili deri më sot nuk ka thënë asgjë të vërtetë rreth të shkuarës së tij.
Polemikat e ditëve të fundit rreth kasetës së masakrës së Krushës së Madhe, për të cilën i mbijetuari Melaim Bellanica pretendon se ia ka dorëzuar Lulzim Bashës si përfaqësues i Tribunalit të Hagës, është vetëm një nga nyjet e kreut të PD në raport me të vërtetën. Lulzim Basha vijon të mbajë në errësirë të shkuarën e tij në Holandë dhe rrethanat se si arriti të bëhej pjesë e UNMIK në Kosovë, në vitin 1999, në një grup me kunatin e tij Erion Isufin dhe Argita Berishën. Si u bashkua ai me Argita Berisha, kush i rekomandoj dhe për çfarë misioni?!
Një tjetër fakt i pashpjegueshëm që rrethon Lulzim Bashën, ka të bëjë me pasurinë e tij. Kur Sali Berisha e prezantoi në vitin 2005 si ‘djalin e të ardhmes së PD-së’, Basha posedonte një pasuri me vlerë 750 mijë euro. Si të ardhura nga UNMIK Basha deklaron 80 mijë USD, gati sa vlera e makinës së tij. Mbetet mister se si një djalosh, vetëm pesë vite nga mbarimi i universitetit, deklaron vilë në Holandë 231 mijë euro, katër apartamente në Shqipëri, makinë 72 mijë euro, mbi 130 mijë euro depozita bankare etj. Para studimeve, Basha njihej si një kamerier në Rinas, një punë kjo e nderuar, por që nuk siguronte të ardhura për përballimin e shpenzimeve për shkollim dhe jetesë, aq më tepër në Holandë.
Por, teksa shokët e tij punonin për të shlyer paratë e studimeve, Basha deklaron një pasuri të pazakontë. I mjegull roli i Lulzim Bashës mbetet edhe në tre skandale që kanë shënjuar qeverisjen Berisha, si afera me Rrugën e Kombit, marrëveshjen detare me Greqinë dhe vrasjes e 21 Janarit. Pas ngjitjes në krye të PD, karriera politike e Lulzim Bashës u shënua nga dy ngjarje të tjera të sqaruara deri më sot: Lobimi në SHBA me 650 mijë USD që nuk u dihet burimi si dhe vila në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranë, ku jeton tani.
Lulzim Basha nuk u është përgjigjur kurrë pyetjeve rreth këtyre dhe pikave të tjera të errëta në të shkuarën e tij. A mund t’i besohet qeverisja e vendit një politikani që refuzon t’u përgjigjet pyetjeve për pasurinë, karrierën dhe shtëpinë ku banon, duke mbajtur në errësirë të shkuarën e tij?!
20 pyetje që duhet t’u përgjigjet Lulzim Basha;
- Kur e ka blerë Lulzim Basha vilën me vlerë të deklaruar 231 mijë euro në Utrecht të Holandës dhe cili është burimi i parave?
- Në cilat data fikse i ka nisur Lulzim Basha studimet në Utrecht të Holandës dhe kur i ka mbaruar?
- Sa ishte pagesa për studimet dhe cili është burimi i parave?
- Si arriti të punësohej Lulzim Basha (kush e propozoi) pranë Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe më pas si Këshilltar Ligjor në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë?
- Në cilët datë fiks filloi punë pranë Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe si Këshilltar Ligjor në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë?
- Çfarë pune konkrete ka bërë për gjykatën dhe çfarë detyrash ka kryer për OKB-në?
- Në çfarë rrethanash Lulzim Basha punoi bashkë me Argita Berishën dhe kunatin e tij, Erion Isufi për UNMIK? Si u njoh me Argita Berishën?
- Pse Lulzim Basha mohon takimin në Kukës me të mbijetuarin e masakrës së Krushës, Melaim Bellanicën, si përfaqësues i Tribunalit të Hagës, kur të gjitha dëshmitë konfirmojnë të kundërtën?
- Cili është burimi i pasurisë me vlerë 750 mijë euro të deklaruar në vitin 2005, me vetëm 5 vite përvojë pune në UNMIK me të ardhura të deklaruara 80 mijë euro?
- Në ç’rrethana përpiloi kontratën për ndërtimin e Rrugës së Kombit, bazuar në ligjet angleze (sipas KLSH) dhe jo atyre shqiptare?
- Pse Lulzim Basha refuzoi thirrjet e prokurorisë për të njohur me dosjen e abuzimit me rrugën Durrës-Kukës duke sabotuar gjykimin me procedurë?
- Në ç’rrethana e firmosi në 2009 marrëveshjen detare me Greqinë, e rrëzuar më pas nga Gjykata Kushtetuese, pasi Shqipëria humbiste rreth 350 km2 det?
- A i qëndron sot Lulzim Basha kësaj marrëveshje dhe pse u mbajt e fshehtë?
- Kush urdhëroi vrasjet e 21 Janarit 2011, kur ishte ministër i Brendshëm?
- Cili është burimi i 650 mijë USD për kontratat e lobimit në SHBA? A janë dhënë paratë nga rusët apo thjeshtë janë përdorur për të mbuluar burimin e tyre?
- Pse gënjeu Lulzim Basha se apartamenti i tij ishte dëmtuar nga tërmeti, për të justifikuar zhvendosjen në vilën e një oligarku në mesin e pandemisë?
- Pse Lulzim Basha nuk publikon kontratën e qirasë së vilës ku banon aktualisht?
- Në çfarë statusi përdor tre vila të tjera?
- Kush ia dhuroi Lulzim Bashës makinën me vlerë 130 mijë euro, e cila ka qenë në pronësi të kompanisë Viktoria Invest?
- Pse u mbyll protesta kundër projektit të Unazës së Re, pas makinën së dhuruar nga kompania që po ndërton një pjesë të segmentit?/Shqiptarja/