Një nga lojtarët më të mirë në botë nuk do të jetë në Kampionatin Evropian. Sulmuesi i Norvegjisë Erling Haaland është emri më i madh që mungon në Euro 2020, sepse vendi i tij nuk arriti të kualifikohej në turne.
Një mori lojtarësh të tjerë që luajnë në klubet më të mëdha të Evropës do të humbasin për arsye të ngjashme, ndërsa disa lojtarë të tjerë gjithashtu do të mungojnë në turneun e planifikuar pasi u dëmtuan këtë sezon.
Sergej Milinković-Savić shënoi dy gola për Serbinë në ndeshjen gjysmëfinale kundër Norvegjisë, por mesfushori i Lazios – një nga talentët më krijues – gjithashtu do të humbasë turneun pasi ekipi i tij humbi nga Skocia në penallti në finalen e playoffit.
Një nga portierët më të mirë në botë gjithashtu luan për një vend i cili nuk arriti të kualifikohej. Portieri i Atlético Madrid, Jan Oblak, kapiten i Sllovenisë nuk do të jetë në turne.
Lojtari më i mirë i Suedisë – dhe një nga sulmuesit më të mirë në botë vendosi të rikthehej në kombëtare në mars, por 39-vjeçari Zlatan Ibrahimović nuk do të jetë në turne pasi dëmtoi gjurin ndërsa luante për Milanin.
Kapiteni i Holandës Virgil van Dijk gjithashtu dëmtoi gjurin dhe nuk do të kthehet në kohë për Euro 2020.
Nga ana tjetër ka edhe nga ata që nuk janë thirrur nga trajnerët e kombëtareve për të luajtur më skuadrën përfaqësuese në këtë kampionat. Trajneri i Spanjës, Luis Enrique nuk e thirri kapitenin veteran Sergio Ramos nga skuadra e tij për turneun pas një sezoni jo fort të mirë.
Enrique tha se mungesa e lojës së mbrojtësit 35-vjeçar të Real Madrid kohët e fundit e bëri të vështirë që ai të përfshihej në skuadrën e Euro 2020.