Mbrojtja përmes kartonit të deputetit duket se është strategjia e re në politikën shqiptare. Publikimi i listave të kandidatëve për deputetë i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit ka nxjerrë në pah emra që kanë ngjallur habi dhe dyshime në opinionin publik. Mes tyre spikat zv/ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Ceno Klosi, një prej bashkëpunëtorëve më besnikë të Belinda Ballukut.
Emërimi i Klosit si kandidat për deputet vjen në një moment kritik kur ai ndodhet nën hetim të SPAK për katër vepra penale të rënda: korrupsion, shpërdorim detyre, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Hetimet ndaj tij nisën pas dy kallëzimeve të opozitës, ndërsa SPAK e mori në pyetje në tetor të vitit të kaluar.
Abuzimet e dokumentuara nga KLSH
Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas auditimeve të kryera, ka evidentuar një sërë shkeljesh dhe abuzimesh të Klosit gjatë kohës që ai ka drejtuar institucione të rëndësishme si Tatimet, OSHEE dhe Agjencinë e Ujësjellës-Kanalizimeve. Përballë këtyre fakteve, KLSH rekomandoi shprehimisht largimin e tij nga detyra. Por çfarë ndodhi? Jo vetëm që nuk u ndërmorr asnjë veprim, por Belinda Balluku duket se i ka hedhur një rreth mbrojtës duke e vendosur në listën e sigurt të deputetëve të PS-së për qarkun e Fierit.
Mekanizmi i ri i mbrojtjes: Imuniteti parlamentar
Ky emërim ngjall dyshime serioze se po aplikohet një skemë e re ku personat nën hetim vendosen në lista deputetësh për t’i shpëtuar hetimeve të SPAK. Duke u bërë deputet, Klosi potencialisht mund të përdorë imunitetin parlamentar si mburojë ndaj proceseve hetimore që po zhvillohen ndaj tij.
Më shqetësuese është se Balluku nuk është ndalur vetëm te Klosi. Burime nga brenda PS-së konfirmojnë se në listën e Fierit janë shtuar edhe emra të tjerë të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke ngritur dyshime se po ndërtohet një bllok i tërë mbrojtës me njerëz besnikë të saj.
Pse Balluku mbron Klosin me kaq vendosmëri?
Çfarë e bën Ceno Klosin kaq të pazëvendësueshëm për Belinda Ballukun? Karriera e tij nuk tregon për ndonjë kontribut të jashtëzakonshëm politik që do të justifikonte një mbrojtje të tillë. Më shumë se një marrëdhënie thjesht profesionale, duket se ekziston një lidhje interesash që tejkalon kufijtë e normalitetit politik.
Gjatë gjithë kohës që Klosi ka qenë nën hetim, Balluku jo vetëm që ka shmangur çdo përgjegjësi politike, por e ka mbajtur pranë dhe tani po e promovon në një pozitë që mund t’i sigurojë mbrojtje ligjore.
Operacioni “Shpëtimi” në Fier
Fieri, dikur një bastion i fortë socialist me figura të spikatura në politikën vendore, tani po transformohet në një strehë për zyrtarë me probleme ligjore. Lista e kandidatëve për deputetë në këtë qark duket se po ndërtohet me synim shpëtimin e karrierave individuale, jo përfaqësimin e interesave të zonës.
Klosi, i cili nuk ka asnjë lidhje historike me Fierin dhe as nuk ka treguar ndonjëherë angazhim politik në këtë qark, po imponohet si kandidat vetëm për shkak të lidhjeve të tij me Ballukun. Kjo lëvizje mund të rezultojë në një faturë të rëndë politike për PS-në në një qark ku tradicionalisht ka pasur mbështetje të fortë.
Ndërsa Partia Socialiste paralajmëron “furtunë” dhe rinovim në listat e saj, rasti i Klosit dhe i të tjerëve si ai tregon se “stuhia” mund të jetë thjesht një fasadë për të maskuar atë që duket gjithnjë e më shumë si një operacion shpëtimi për zyrtarët nën hetim – strategji që po kthehet në një model të përsëritur brenda PS-së.
Mbledhja e sotme e Kryesisë së PS-së do të vendosë përfundimisht për listat, por tashmë është e qartë se modeli “Klosi” po bëhet normë, duke minuar përpjekjet për drejtësi dhe llogaridhënie në politikën shqiptare.