Ndryshime në Qeveri? Rama: Do nisim vlerësimin e ministrave

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pas disa ditësh, anëtarësia e PS-së do të vlerësojë ministrat, paralajmëroi kryeministri Rama, pas një takimi me drejtuesit politikë në qarqe. Në kuadër të fushatës zgjedhore, kryeministri tha se pas pak ditësh do të dalë dhe kërkesa për vlerësim për ministrat.

“I vetmi lajm për të ardhmen vjen nga PS. Të gjitha të tjerat janë lajme të vjetra. Ne vazhdojmë punën dhe diskutojmë për gjendjen në çdo komunitet. Jemi në procesin e një ndërveprimi të ri me anëtarësinë që ka filluar të marrë atë kodet digjitale për të dhënë vlerësimin për deputetët e qarkut. Pas pak ditësh do të dalë kërkesa për vlerësim për ministrat që do të jetë përtej anëtarësimit, çdokush që është i interesuar do hyjë të bëjë një vlerësim. Do të përgatisim hapjen e tretë që është ftesa për të konsideruar shprehje interesi për të përfaqësuar PS në parlament”, deklaroi Rama. Rama nuk tregoi emrat për kryesinë e re të PS-së duke thënë se ka kohë deri të premten, por u përqendrua tek anëtarësia.

Platforma e PS dixhitale nuk është e re, por ka nisur të ndërtohet qysh pas vitit 2014. Aty çdo anëtar ka akses përmes një çelësi personal dhe mund të marrë pjesë në të gjitha proceset brenda platformës, që nga vlerësimi i deputetëve, tek diskutimet e brendshme, tek proceset e ndërveprimeve në funksion të marrjes në kohë reale të informacionit nga qendra, të shkëmbimit të informacioneve në kohë reale me qendrën, të ndjekjes së aktiviteteve me qendrën përmes telefonit dhe të pasjes së mundësisë për të adresuar qoftë deputetin apo deputeten strukturat e tjera, përfshi edhe ato të pushtetit vendor.

Platforma shërben edhe si mjet për “shpëlarje truri” për anëtarësinë. “Ne duam që jeta e partisë të marrë një hov të ri, pa pasur nevojë të presë mbledhjen e radhës së organizatës, lajme nga kanale të tjera dhe për t’i marrë të parët anëtarët lajmet që kanë të bëjnë me partinë, qeverisjen, apo lajmet e rreme, informacione të cilat që patjetër ne i japim botërisht dhe besojmë që çdo anëtar ka të drejtë të kërkojë më shumë hesap dhe të ketë më shumë vëmendje lidhur me vërtetësinë, përmbajtjen e një informacioni”, sipas prezantimit të Ramës, bërë disa ditë më parë.

Shpërndaje
Share.

Komento