Pavarsisht se protesta e studentëve për plotësimin e kërkesave të tyre vazhdon, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla, shkoi për inspektim te konviktet në godinat e Qytetit Studenti nr.2 pranë “21 dhjetorit” duke u veshur me jelekun e punëtorëve.
Nikolla u njoh nga drejtoresha e Rezidencës Studentore Zhanina Dapi, me ndryshimet strukturore të 2 godinave që janë në përfundim.
Godinat janë në modelin e mini-apartamenteve me dy dhoma, tualate, dushe dhe ambjente gatimi në çdo kat.
Ministrja Nikolla u shpreh se studentët do e provojnë në janar se çfarë do te thotë të investosh me standarde dhe ta kesh prioritet jetesën e studenteve. Ajo tha që ishte hera pare që investohet 18 milion euro gjithashtu edhe që në godina nuk mungojnë as dhomat për studentët me aftësi të veçanta.
Brenda pak javësh, 2 godinat e Qytetit Studenti Nr.2 do të mirëpresin qindra studentët.
Ato janë të pajisura me sistemet më të fundit të ngrohje-ftohjes dhe kanë kushtet më optimale për studentët shqiptarë.
“E kënaqur nga sa pashe, është godina e tretë nga katër godinat këtu në qendrën studentore Nr.2, që do të akomodojë studentë të inxhinierisë. Dy godina kanë përfunduar, kjo është e treta, vijojnë punimet tek e katërta. Standarde që kurrë nuk i kemi parë në godina studentore, qoftë në apartamentet ku ata do të akomodohen, po ashtu edhe me gjithçka tjetër që ka të bëjë me standardet, pra duke pasur një kuzhine të përbashkët në çdo kat, duke mundësuar sallën e studimit, internet në çdo dhomë. Gjithçka që studentët të kenë kushtet optimale për të vënë prioritet atë që është në fakt qëllimi i tyre, rezultatet sa më të mira në universitet. Unë e pashë vetë dhe doja t’ju falënderoj se ky investime prej 18 milion euro është një investim i standardeve më të mira, me eficencën e energjisë, por edhe me çdo lloj standardi tjetër për të qenë këto godina, jo vetëm të banueshme por edhe atraktive për kohën e lirë apo kohën e studimit. Është një projekt që vijon edhe në Qytetin Studenti dhe do jetë projekti që do shtrihet fillimisht në 9 godinat e qytetit studenti dhe më pas në të gjitha godinat e tjera.”- u shpreh ministrja Nikolla.
(Panorama)