Pa diskutim që turizmi është më i trondituri nga pandemia teksa ende nuk ka nisur hapja tërësore e tij, në një kohë kur ky sektor në Shqipëri në total, duke përfshirë ndikimin indirekt të trefishtë shkon në 25% të PBB-së dhe punësimit, ndërsa mbulon 50% të eksporteve.
Perspektivat globale për vitin 2020 sipas UNWTO (Organizatës Botërore të Turizmit) janë zvogëluar disa herë që nga shpërthimi i virusit dhe pasiguria vazhdon të mbizotërojë.
Ismail Beka nga Organizata Botërore Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar shkruan se skema e turizmit në zonat rurale, me siguri ka problematikë të njëjtë, por në realitete më të ndryshme dhe që ka kushtet dhe perspektivën e fillimit të sigurt më të lehtë se ajo e turizmit intensiv të detit apo e turizmit kulturor në zonat urbane.
Mirëpo, situata ndryshon në zonat rurale krahasuar me turizmin në bregdet dhe atë kulturor në zonat urbane.
Kjo pasi zonat rurale dhe banorët e tyre nuk janë shumë të prekur nga koronavirusi dhe e kanë përjetuar mbylljen shumë më pak se pjesa tjetër e popullsisë.
Rihapja e turizmit në zonat rurale dhe oferta e larmishme
- Parakushtet për një rihapje më të lehtë të turizmit në zonat rurale, lidhen me disa faktorë sipas Monitor.al:
- Vetë strukturat e turizmit në fshat janë shumë më të vogla dhe të thjeshta për sa i përket ruajtjes së distancimit fizik.
- Ushqimi lokal është i prodhuar dhe gatuar në vetë familjet dhe shërbehet kryesisht në oborr, ose merret si paketë më vete gjatë ecjes në natyrë.
- E gjithë veprimtaria turistike zhvillohet në natyrë, në ajër të pastër dhe pa diskutim është shumë më e sigurt për guidat turistike dhe vetë turistët.
- Transporti për në destinacionet turistike bëhet gjithashtu me grupe të vogla, qoftë me transport privat ashtu edhe me mikrobusë të vegjël.
- Ekonomia e turizmit rural bën sens edhe me numra të vegjël, në ndryshim nga strukturat e mëdha akomoduese të hoteleve.
- Natyrisht, nuk mund të synojmë në numra të mëdhenj, por në cilësi dhe siguri për një numër edhe më të vogël turistësh. Detyrë parësore, ruajtja e imazhit të mirë si dhe siguria për veten dhe miqtë.
Cilët do të jenë turistët që do të shkojnë në zonat rurale:
Nëse në vitet 2007-2012, rreth 85-90% e turistëve ishin të huaj, në dy-tre vitet e fundit, edhe pse numri i turistëve të huaj është rritur mjaft, numri i turistëve vendas që shkojnë në fshat dhe në turizmin malor është rritur ndjeshëm dhe ata përbëjnë më shumë se 50% të numrit të përgjithshëm të turistëve, çka do të thotë se edhe pa hapjen e kufijve për turistët e huaj, ne do ta kishim të sigurtë për të filluar një veprimtari turistike të natyrës.
Fakti që turizmi i natyrës bëhet në udhëtime të shkurtra 1-3-ditore, jep mundësinë që turistët të shkojnë disa herë gjatë vitit në destinacione të ndryshme.
Këtij numri do t’i shtohen pa diskutim edhe ata shqiptarë, që deri tani udhëtonin për turizëm në Europë, të cilët duke mos pasur mundësi të tilla, me siguri do të preferojnë turizmin malor dhe atë të natyrës.
Fakti që edhe kohështrirja e turizmit në zonat rurale shkon përtej muajve të verës, deri në fund të tetorit, me siguri që hapja e përgjithshme europiane do të na sigurojë edhe turistë të huaj, gjatë vjeshtës.
Në Shqipëri nuk ka ende një zhvillim të konsoliduar të turizmit malor dhe atij rural, por ka përvoja të mira, veçanërisht me përvojën e Thethit dhe mjaft zonave të tjera.
Janë befasuese rezultatet e këtyre 10 viteve të fundit, me zhvillimin e turizmit malor është rritur numri i turistëve dhe për pasojë edhe të ardhurat në këto zona, ndonëse investimet e qeverisë mbeten në nivel zero.
Në Shqipëri ka zona shumë të spikatura të turizmit malor: Alpet e Shqipërisë (Kelmend, Theth, Valbonë), (Razëm, Bogë); Zona të veçanta në Rrethin e Dibrës: (Lura, Korabi); Zonat malore të Rrethit të Korçës (Voskopojë, Vithkuq, Dardhë, Prespa)
Të tjera zona rurale në Shqipëri në Elbasan, Përmet, Gjirokastër, Vlorë e veçanërisht edhe në zonat rurale të Tiranës, që jo vetëm kanë zgjeruar hartën turistike të Shqipërisë, por edhe kanë rritur ndjeshëm ofertën turistike.
Protokollet, masat dhe avantazhet e turizmit në zonat rurale
Sepas Monitor.al, janë një sërë punësh prioritare, që lidhen me vendimmarrjet në nivel shtetëror për sa u përket masave shtesë që dikton koronavirus dhe do të duhet të zbatohen me përpikëri nga vetë operatorët turistikë.
Së pari: Të përgatitemi seriozisht për të garantuar një fillim turistik të sigurt dhe të përgjegjshëm nga të gjithë aktorët e turizmit për shëndetin e vet dhe anëtarëve të familjeve të tyre, si dhe turistët.
Kjo lidhet me masat shtesë që diktohen nga protokollet e sigurisë, sipas edhe përvojës ndërkombëtare e që do të shpallen nga institucionet përgjegjëse shqiptare.
Dhe në këtë pikë të parë, jemi ende me vonesë, pasi deri tani janë shpallur vetëm masa lidhur me strukturat e mëdha akomoduese dhe rregullin e plazheve.
Me urgjencë kërkohet të jenë edhe rregulla për bujtinat, kampingjet, lokalet e vogla të fshatrave, aktivitetet turistike të natyrës dhe aventurës, guidat si dhe shumë të rëndësishme për transportin turistik publik. Në rastin e turizmit rural, edhe për mikrobusët dhe transportin publik interurban.
Së dyti: Domosdoshmëri për ambiente dhe natyrë të pastër. Masat që lidhen me higjienën e përgjithshme në territor, veçanërisht me pastrimin dhe largimin e mbeturinave nga fshatrat, riparimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve dhe gjithë mjedisit përreth. Koha e gjatë e mbylljes dhe kufizimit të lëvizjes, ka bërë që të mos ketë vëmendje në fshatra për sa i përket higjienës së përgjithshme. Masat emergjente kërkohen të ndërmerren nga Bashkitë, njësitë administrative por edhe administrata e zonave të mbrojtura, për një pastrim të përgjithshme dhe më tej, për të garantuar shërbim të vazhdueshëm të shërbimeve publike në fshat.
Së treti: masa shtesë për vënien në funksionim të plotë të shërbimit shëndetësor (asistencës shëndetësore në qendrat shëndetësore të vogla të fshatrave, krejt modeste ku ka vetëm një infermier). Furnizime shtesë me materiale e medikamente të ndihmës së parë si dhe personel, që qëndron 24 orë në fshat.
Së katërti: përgatitja e infrastrukturës turistike, që ka të bëjë me kontrollin, pastrimin dhe rregullimin e të gjithë shtigjeve turistike, atraksioneve të veçanta të monumenteve natyrore dhe atraksioneve turistike të vizitueshme. Edhe në këtë rast, një bashkëpunim midis aktorëve publikë dhe vetë aktorëve privatë të turizmit.
Së pesti: informacion dhe promovim të destinacioneve më të rëndësishme turistike në zonat rurale.
Shanset më të mëdha janë që zonat malore dhe ato rurale të jenë më të arritshmet dhe të gjallërohen më shpejt se të tjerat dhe avantazhi ka të bëjë me faktin se në turizmin në zonat rurale ka një shtrirje shumë më të gjatë në kohë, krahasuar me turizmin e detit.
Turizmi në zonat rurale bëhet në grupe të vogla dhe transporti për në strukturat akomoduese bëhet nga vetë familjet dhe nuk kanë struktura menaxheriale, ndaj edhe na duhet të ndërmarrim veprime të kujdesshme për fillimin e turizmit në bujtinat dhe turizmin rural.
Mbrojtja e shëndetit ka përparësinë maksimale dhe për këtë arsye, edhe për turizmin në këto zona do të mbahen parasysh rregullat e përgjithshme kundër infeksioneve të miratuara nga autoritetet shëndetësore shtetërore.
Në këto kushte vihet re dukshëm se mundësit për turizmin në vendin tonë janë të pafundme, por autoritetet përkatëse vijojnë të mos bëjnë asgjë prej vitesh.
Ndonëse Ministria e Turizmit duhet të ishte duke bërë maksimumin për sektorin që është gjunjëzuar nga pandemia, vijon të qëndrojë duarkryq, teksa zgjidhjet i japin gazetarët.