Pas luftës së brendshme mes dy kolonelëve të pushtetit, Veliajt e Ballukut, njëri përfundoi në burg dhe tjetra po reziston me presion, por urdhrat nuk kanë ndalur. Në këtë skemë pushteti, ku përgjegjësit janë në dijeni se çdo firmë po u thellon gropën, zinxhiri vazhdon të funksionojë si më parë. Gjenerali Edi Rama nuk tërhiqet, firmat vazhdojnë, ndërsa aleanca mes pushtetit dhe oligarkëve vepron me nxitim, sikur koha po mbyllet. Fundi po afrohet, por para tij po firmoset gjithçka.
Në këtë klimë politike dhe ligjore të tensionuar, Belinda Balluku i ka bërë nderin e dytë më të madh të karrierës së saj biznesmenit Bashkim Ulaj, duke firmosur lejen e ndërtimit për një mega resort turistik me sipërfaqe totale 1.460.549.8 m2 në zonën ranore të Baks Rrjollit, në Bashkinë Shkodër. Nderi i parë ishte koncesioni i shumëdebatuar i rrugës Thumanë Kashar.
Më 16 janar 2026, pas një kalvari procedurash që zgjati 13 muaj, Balluku ka firmosur lejen e ndërtimit për resortin turistik “Blue Borgo”, pikërisht në kulmin e zhvillimeve ligjore në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e imunitetit. Koha dhe mënyra e firmosjes ngrejnë dyshime serioze, pasi vendimi u mor ndërsa ndaj ministres rëndojnë akuza dhe ndërsa Prokuroria e Posaçme po këmbëngul për ta vënë nën akuzë ose për t’i vendosur masë sigurie.
Me një të rënë të lapsit, ministrja i ka dhënë Ulajt 146 hektarë tokë në një nga zonat më të ndjeshme bregdetare pranë Velipojës. Vendimi u mor pavarësisht protestave të banorëve të zonës së Baks Rrjollit, të cilët kanë depozituar padi në gjykatë dhe kallëzime në SPAK për tjetërsime pronash. Balluku ka sfiduar hapur banorët, prokurorët, deputetët dhe institucionet e drejtësisë, duke vepruar sikur nuk ka më asgjë për të humbur.
Sipas Vox News, për muaj me radhë krerë të institucioneve shtetërore kanë ngurruar të vendosin firmën për këtë leje gjigante, pikërisht për shkak të rrezikut të një hetimi penal. Ministrat e linjës, veçanërisht ata të Mjedisit dhe Turizmit, kanë shmangur firmosjen nga frika e SPAK. Megjithatë, në këtë fazë të trazuar politike, Balluku ka vendosur emrin, vulën dhe firmën e saj.
Pas kësaj, Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka zbardhur me shpejtësi lejen e ndërtimit për objektin “resort turistik Blue Borgo”, që përfshin 33 struktura akomoduese dhe shërbimi me 3 dhe 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, një strukturë hotelerie me 1 dhe 3 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, si dhe tre struktura social kulturore. Subjekti zhvillues është “ABA Blue Borgo”, në territorin e Bashkisë Shkodër.
Dokumentet tregojnë se masterplani shtrihet në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, e ndarë nga një rrugë lidhëse në një zonë të pjerrët prej 89 hektarësh dhe një zonë të sheshtë ku do të përqendrohet ndërtimi. Sipas dokumentacionit zyrtar, masterplani parashikon një total ndërtimi mbi tokë prej 404,612.50 m2 dhe zhvillimin e një kompleksi multifunksional në një zonë bregdetare me struktura të shumta akomoduese dhe shërbimi.
Ndërsa opinioni publik ishte i fokusuar te seancat në Këshillin e Mandateve, te Gjykata Kushtetuese dhe te zhvillimet në Prokurorinë e Posaçme, ministrja Balluku ka vepruar në heshtje, duke fituar kohë për të firmosur nderin e dytë për Ulajn.
Më 23 janar 2026, kompania e Ulajt ka regjistruar lejen e ndërtimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Sipas dokumenteve, shoqëria “ABA Blue Borgo” ka kërkuar hapjen e një adrese sekondare të ushtrimit të aktivitetit në zonën e Baks Rrjollit. Kërkesa është bërë nga administratorja Ledi Hysenaj, e cila ka kërkuar regjistrimin e lejes së ndërtimit nr. 360/1 prot, datë 15.01.2026, të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
Kompania që do të zhvillojë resortin është regjistruar prej vitesh në QKB dhe ka kaluar nëpër disa transaksione aksionesh mes Bashkim Ulajt, familjarëve dhe personave të afërt me të. Ka dyshime se këto lëvizje janë formale dhe janë përdorur për të humbur gjurmët e pronësisë reale. Fillimisht kompania është regjistruar në emër të të besuarit Andri Kasneci dhe vetëm pas marrjes së lejeve në KKTU aksionet kanë kaluar te Ulaj.
Në një moment kur sistemi po shembet nga brenda dhe hetimet po afrohen, firmat vazhdojnë të hidhen me nxitim. Të gjithë e dinë se po firmosin fundin e tyre, por askush nuk ndalon.







