Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me skemën e mashtrimit te AKBN, ku dëmi i shkaktuar ndaj shtetit shqiptar ishte 1.5 mln dollarë.
Dy biznesmenët, Isuf Berberi(në kërkim)dhe Naim Kasa(i arrestuar tashmë), kishin kompaninë Phoenix Petroleum, e përfshirë në këtë skandal.
Pas hetimeve ka rezultuar se kompania ka shfrytëzuar disa puse nafte, por nuk ka investuar.
Isuf Berberi është biznesmeni që ka në bashkëpronësi kompaninë Phoenix Petroleum, si edhe pronar i kompanisë farmaceutike Fufarma, si edhe kompani të tjera. Berberi ka qenë edhe financues i fushatës së Partisë Agrare Ambientaliste, me kryetar Agron Dukën.
Isuf Berberi
Ndërkohë, emri tjetër është ai i Naim Kasës. Ky i fundit fshihet pas 13 vendburimeve nga më të mirat dhe cilësoret në Shqipëri, dhe janë dorë të një personi të vetëm, njeriut që fshihet pas GBC Oil, në një investigim nga gazeta Dita.
Transatlantic Petroleum që kishte në zotërim puset, të blera që në 2014, tenton të bëjë një manovër “teknike” duke ia transferuar të gjitha vendburimet një kompanie tjetër vetëm për të shmangur borxhet.
Transatlantic i kalon aksionet e saj tek GBC Oil në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarë tek banka Raiffeisen dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarë detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh.
Përpos faktit që GBC Oil është një kompani anonime në fushën e naftës, e gjithë procedura e shitjes është tepër e dyshimtë. Transaksioni do të kryhet pa vlerë parash, por vetëm në këmbim të marrëveshjes për pagimin e borxheve. Vetë shoqëria Transatlantic nuk do të paguajë borxhet që i ka shtetit shqiptar dhe palëve të treta dhe këtë kërkon t’ia kalojë kompanisë së re. Situata e borxheve të kësaj kompanie është shumë e rëndë.
Ekspertët e naftës të kontaktuar nga gazeta thanë se kjo manovër po kryhet për të “vjedhur” disa nga vendburimet më të mira të naftës në Shqipëri dhe të shmanget pagesa e borxheve. Ndër këto vendburime është edhe ai i Gorisht-Koculit, i cili vlerësohet që të ketë një kapacitet prodhues prej 1.3 milionë tonë naftë në vit. Sipas ekspertëve, përmes kësaj marrëveshjeje synohet përdorimi pa kriter i vendburimeve dhe dërgimi i tyre drejt falimentimit. Ata sqaruan se kompania që synon të marrë vendburimet, nuk ka as ekspertizë dhe as aftësi teknike për të kryer një aktivitet të tillë hidrokarbur.
Naim Kasa dyshohet se këtë gjë e ka kryer edhe me vendburimet që ka marrë në fund të gushtit 2013 nga qeveria në ikje e Sali Berishës. Një nga veprimet e fundit të qeverisë Berisha, e cila kishte humbur zgjedhjet në qershor, ishte nënshkrimi i Marrëveshjes Hidrokarbure me kompaninë Phoenix Petroleum të Naim Kasës. (Marrëveshja është nënshkruar më 16 gusht 2013) Edhe në këtë rast Naim Kasa ka kryer të njëjtën procedurë në tetë vendburimet që ka marrë me koncesion nga qeveria Berisha. Sipas ekspertëve të naftës, deri më tani Phoenix Petroleum e Naim Kasës i ka shfrytëzuar këto vendburime pa asnjë kriter dhe pa kryer investimet e nevojshme. Kjo është një nga arsyet që shoqëria shtetërore e naftës, Albpetrol sh.a ka nisur procedurat e prishjes së Marrëveshjes Hidrokarbure me Phoenix Petroleum.
/GazetaReforma.com/