Fermerët dhe blegtorët nga i gjithë vendi protestuan për rreth 4 orë para Ministrisë së Bujqësisë kundër Skemës Kombëtare 2026, duke kërkuar subvencionim të naftës dhe mbështetje të menjëhershme për prodhimin vendas. Por përballë kërkesave të tyre për lehtësim konkret, përgjigjja e ministrit të Financave, Petrit Malaj, u cilësua nga vetë protestuesit si tallje me situatën e tyre.
Të organizuar nga Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit”, fermerët dolën me pankarta dhe thirrje si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit”, “Bojkotoni firmat serbe” dhe “Duam subvencione nafte si jahtet”. Ata theksuan se rritja e çmimeve të naftës dhe plehrave kimike i ka çuar në kufijtë e mbijetesës dhe se skema e re nuk reflekton realitetin e tyre.
“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Skema 2026 nuk ishte ajo që u diskutua me ne. Të na subvencionohet nafta. Të rritet mbështetja për blegtorinë, të bllokohet importi që na konkurron”, u shprehën fermerët.
Thelbi i përplasjes mbetet heqja e naftës pa taksa. Në një moment kur fermerët kërkojnë ulje të drejtpërdrejtë të kostos së karburantit, ministri Malaj deklaroi gjatë takimit se “është ulur akciza me 20%”. Kjo përgjigje u prit me reagim të menjëhershëm dhe u konsiderua nga protestuesit si e pamjaftueshme dhe e shkëputur nga realiteti i përditshëm i sektorit.
“Kërkojmë subvencione si gjithë rajoni. Kemi 7-8 herë më pak subvencione sesa rajoni. Me kë duhet të konkurrojmë ne? Kërkojmë naftë pa taksa për fermerët ose të bëjë një rregullim qeveria për taksën e qarkullimit”, deklaruan ata.
Fermerët paralajmëruan se me çmimin aktual të karburantit, prodhimi është bërë i paqëndrueshëm.
“Nuk prodhohet asgjë në këtë vend me 230 lekë naftë”, tha një prej tyre. Ndërsa të tjerë shtuan: “Ne kemi fikur traktorët sepse nuk e mbulojmë dot naftën. Jemi në pikë të hallit. S’kemi ardhur për qejf, as për të bërë shfaqje, as për militantë të partisë. Duam naftë pa taksa”.
Një përfaqësi prej 10 protestuesish zhvilloi një takim prej rreth dy orësh me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj, por pa një marrëveshje konkrete. Ministri Salla u ka premtuar rishikim të Skemës Kombëtare të Bujqësisë në muajin shtator, pas bilancit të gjashtëmujorit të parë, si dhe kontrolle në dogana për produktet e importuara.
Ky afat u kundërshtua nga një pjesë e fermerëve, duke sjellë përplasje edhe mes tyre. Ata kërkuan ndërhyrje të menjëhershme, duke theksuar se çdo vonesë rrezikon falimentimin e fermave dhe tkurrjen e mëtejshme të prodhimit vendas.
Ndërkohë, skema e re për vitin 2026 parashikon disa lehtësira në letër, si uljen e numrit minimal të krerëve për përfitim dhe rritjen e subvencioneve për kokë. Konkretisht, për lopët kufiri zbret nga 10 në 5 krerë dhe financimi rritet nga 10 mijë në 12 mijë lekë për kokë. Për delet dhe dhitë, numri minimal përgjysmohet dhe subvencioni rritet nga 1200 në 1500 lekë, ndërsa për bletët përfitimi dyfishohet në 2 mijë lekë për zgjua.
Megjithatë, sipas fermerëve, këto ndryshime nuk adresojnë problemin kryesor që i nxori në protestë: koston e lartë të naftës dhe mungesën e mbështetjes reale për një sektor që, sipas tyre, po mbijeton me vështirësi të mëdha.







