Edhe pse temperaturat janë nën zero gradë celcius, qytetarët e Kosovës nuk janë ndalur të shkojnë në pikat e votimit.
Kujtojmë se sot, më 14 shkurt, Kosova po zhvillon zgjedhjet parakoshme. E para që hodhi votën në kutitë e votimit është kryetarja e KQZ, Valdete Daka.
Një milion e 794 mijë e 862 votues me të drejt vote, prej tyre 49 mijë e 198 votues për herë të parë, sot vendosin për përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe Qeveri.
Këto zgjedhje vijnë pasi qeveria Hoti u shpall antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas një kërkese të Lëvizjes Vetëvendosje.
88 prokurorë do të jenë të angazhuar sot në ditën e zgjedhjeve në nivel vendi, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe ligjor. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtarë kujdestarë.
Gjatë gjithë ditës së sotme subjektet politike, ojq-të dhe qytetarët që mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur mund të paraqesin ankesat në Panelin Zgjedhor në afatin prej 24 orëve nga mbyllja e qendrës së vendvotimit. Demokracia në Veprim do të ketë500 vëzhgues të cilët do të jenë në qendra të votimit, të vendvotime të ndryshme.
Ndërkohë, shefi i zyrës së BE dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse, u kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t’i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit.
Gjithashtu, kanë inkurajuar qytetarët e Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke i respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.
“BE ka dërguar një mision të ekspertëve të zgjedhjeve (EEM) në Kosovë që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë fazën e ankimimit. EEM do ta përgatitë një raport për zgjedhjet duke përfshirë rekomandimet se si të përmirësohet dhe forcohet më tej procesi zgjedhor”, thuhet në një komunikatë të përbashkët.