Skip to content
Kosovë

 Mospajtime Kurti-Osmani për draft-in e asociacionit të komunave me shumicë serbe

· 1 min lexim

Qeveria dhe presidenca në Kosovë po shfaqin mospajtime lidhur me veprimet që duhet të ndërmerren karshi faktorit ndërkombëtar për draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kryeministri Albin Kurti ka propozuar që drafti i hartuar nga BE të dërgohet në Komisionin e Venecias për shqyrtim, ndërsa Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se fillimisht duhet shqyrtuar kjo ide dhe pastaj të vendoset.

“Të shohim si prezantohet. Përcaktimi i objektivave të jashtme bëhet nga kreu i shtetit, pra kurdo që prezantohet një ide e tillë do ta shqyrtoj. Por mendoj që është me rëndësi që çdo propozim të analizohet në kontekst të interesave të Kosovës. Nëse e vlerësojmë se ndihmon Republikën e Kosovës, nuk ka arsye të mos e përkrahim,” tha Osmani.

Kryeministri Kurti, në një deklaratë të mëparshme, tha se “nëse duan, atëherë draftin e Lajçakut mund ta dërgojnë në Komisionin e Venecias.”

Ndërkohë, për çështjen e shpronësimeve në veri të vendit, Presidentja Osmani ka dalë në mbrojtje të qeverisë pas shqetësimeve të shprehura nga shtetet e QUINT-it. Ajo theksoi se shpronësimet janë në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe standardet e Gjykatës Evropiane.