64 të infektuar dhe 2 viktima- ky është bilanci nga COVID-19 në vendin tonë që nga 9 marsi e deri tani.
Në një kohë kur virusi është ende i panjohur është e vështirë të flasësh me siguri rreth tij, por mjekët janë munduar, që në bazë të studimeve botërore dhe eksperiencës së vendeve të prekura më parë, të bëjnë disa parashikime mbi situatën në vendin tonë
Së fundmi, Arben Gjata, koordinatori i Task-Forcës kundër COVID-19 dhe Rektor i Universitetit të Mjekësisë, është shprehur se shumë mjekë dhe infermierë u janë bashkuar bluzave të bardha për të luftuar virusin.
Po ashtu, ai tha se në kushtet që jemi po përdoren disa ilaçe kundër virusit dhe vaksina do të paktën 1 vit e gjymsë për t’u prodhuar.
Po ashtu, Gjata tha se rreth 70% e popullësisë në Shqipëri do preket nga COVID-19, por e rëndësishme është se në sa kohë do preken, duke theksuar se po përpiqet të ngadalësojnë virusin prandaj u kërkoi qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi.
“Vaksina kërkon nga 8 muaj deri në 1 vit e gjysmë kohë. Dhe në Shqipëri 70% e popullatës do preket por ideja është se në sa kohë do preket. Përpjekja është që të progresojë në mënyrë të ngadaltë virusi. Kështu që sistemi shëndetësor ka mundësi t’i presë e t’i trajtojë. Nëse ty të vijnë mijëra pacientë në ditë si në Itali, ti del jashtë mundësi dhe falimenton çdo sistem shëndetësor”, deklaroi Gjata.
Sipas statistikave të vendeve që janë prekur më herët rezulton se personat më të rrezikuar nga COVID-19 janë të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Kështu, mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Open’ u bë me dije se në vendin tonë 450 mijë persona vuajnë nga sëmundjet kronike, gjë që i bën ata më të ekspozuar se të tjerët.
Coronavirusi: Rreth 450 mijë shqiptarë janë të rrezikuar nga COVID-19, ja arsyeja
Në një kohë kur situata është shumë delikate, autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.