Një mjek i QSUT është vetëkarantinuar, pasi konstatoi se ka patur kontakte me 3 pacientë të prekur nga COVID-19.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë mjeku Ilir Allkja, i cili përmes një videoje në Facebook shprehet se ka vizituar pa veshjet speciale tre të infektuar dhe rrjedhimisht dyshon se është infektuar edhe vetë.
Ndër të tjera ai thotë se mjekët po dërgohen në raste të dyshimta pa veshjet speciale dhe kjo ka gjasë të çojë në kolaps të Sistemit Shëndetësor nëse nuk merren masa.
“Më dëshpërim kam konstatuar se njësia e Koordonimit të Urgjencave na dërgojnë pa veshjet speciale në raste që na i paraqesin dhe neurologjike apo gastroentorologjike, por kemi konstatuar se janë raste me koronavirus. Kemi shkuar atje me maske kirurgjike ndërkohë që duhej të shkonim me veshje të posaçme. Kam një thirrje për kolegët e Koordinimit të Urgjencave Mjekësore dhe drejtorin Skëndër Brataj: Kërkoni dhe pyesni nëse pacientët kanë temperaturë dhe simptoma të koronavirus. Ju lutem na nisni me veshje speciale për çdo rast të dyshuar”, shprehet mjeku.
Ndërkohë, një situatë edhe më e rënduar paraqitet në Spitalin e Durrësit, ku ka qenë e shtruar viktima e parë nga Coronavirusi në vendin tonë.
Dyshohet se ajo mund të ketë infektuar edhe një pjesë të stafit pasi nuk ishin në dijeni të prekjes së viktimës nga virusi.
Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, në një deklaratë për mediat, ka bërë me dije se viktima ka bërë me dije së po bëhet gjurmimi i personave të cilët kanë qenë në kontakt me të moshuarën, teksa ka dyshime se 73-vjeçarja ka pasur kontakte me 16 infermierë, 23 mjekë dhe 6 sanitarë të repartit të Patologjisë.
Mësohet se të gjithë këta persona nuk janë paraqitur në punë, ndërsa pritet përgjigja e analizave.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.
Deri tani në rang global janë shënuar 4,382 viktima dhe janë infektuar 121,739 persona.