Në gjithë ato halle dhe probleme që ka Shqipëria, Bashkia e Vlorës drejtuar nga Dritan Leli, vendosi që në vitin 2017 të vendoste në Lungomare, 20 stola inteligjentë.
Secili prej tyre do kishte vlerën prej 25 milionë lekësh të vjetra, dhe sot, në 2020, vërtetohet se janë para të hedhura dëm. Shumë pak kohë pas instalimit të tyre, këto stola janë amortizuar, duke mos bërë shërbimet për cilin u vunë, dhe u pagua aq shumë.
Supozohet se ata duhet të funksionojnë si shpërndarës interneti ëifi dhe një tjetër funksion i tyre është karikimi i celularit përmes portës USB, por asnjë nga këto dy funksione nuk përmbushet nga stolat e kësaj shëtitore.
Në 25 shtator 2017, shumë krenar në prezantimin e këtyre stolave, kryebashkiaku Drital Leli u shpreh se do kishin një sërë funksionesh, si ofrim shërbimi interneti, karikim për telefonët apo mundësi ndriçimi.
Por ndërsa kanë kaluar vetëm 3 vjet nga përfundimi i projektit të Lungomares, shumë pjesë përgjatë saj janë të amortizuara. Për qytetarët vlonjatë kjo është më tepër një vjedhje nga xhepat e tyre sesa një e mirë në shërbim të komunitetit. Stolat inteligjentë, nuk e mbajnë më këtë emër, me “krenarinë” e fillimit. Nga një vëzhgim i bërë vihet re dhe heqja e njërit prej stolave inteligjentë, i cili ishte vendosur i pari në radhë, që në hyrje të shëtitores. Nuk dihet ende arsyeja e ”shpërnguljes” së stolit, por një gjë është e sigurt, që asnjëri prej 19 stolave inteligjentë të mbetur në Lungomare nuk funksionon në mënyrë të plotë. Nga 19 stolat aktualë, 3 prej tyre duket se i kanë shpëtuar amortizimit, duke kryer një rol gjysmak. Ata funksionojnë vetëm për karikimin e celularëve smartphone, ndërsa për sa i përket internetit ëifi nuk funksionon në asnjërin prej tyre. Për shkak edhe të instalimit të tyre në një pozitë aspak të favorshme për shkak edhe të distancës nga deti, 3 vite më vonë nga momenti i inaugurimit, ata janë ndryshkur nga lagështia. Ndërsa banorët më të vjetër të qytetit thonë se për këtë projekt që në dukje ishte tejet interesant duhej të ishte studiuar fillimisht zona në të cilën do të vendosnin stolat, pasi kripa e detit i ka dëmtuar plotësisht, e më pas të hidheshin gjithë ato lekë.
Një prej tyre është dhe gjysh Naimi, i cili del çdo ditë për të peshkuar buzë detit. Ai është vlonjat 24 karatësh, dhe ndaj e njeh dhe e do këtë qytet në çdo pëllëmbë të tij. Ai shprehet se ka qenë kundra vendosjes së stolave, dhe jo se nuk e do teknologjinë dhe projektet moderne për qytetin ku janë lindur brez pas brezi gjyshërit e stërgjyshërit e tij, por ama ai kërkon investime më të qenësishme për qytetin.
“Të hiqen sa më parë ata stola, le të investohet në arsim, në shëndetësi, e në paga apo pensione. Nuk e kuptoj se si mund të marrim ne stola nga 20 milionë lekë, kur ne mezi marrim pensione nga 70 mijë lekë të vjetra”, thotë me të drejtë ai.
Ndërsa për sa i përket dëmtimit të tyre, Naimi bën me faj bashkinë që sipas tij e ka lënë në harresë gjithë Vlorën e jo më shëtitoren e Lungomares. “Kemi shumë probleme, pse patjetër duhet të shkojmë tek gjërat e qejfit, këtë nuk kuptoj”, vijon ai për Portën Vendore.
Shumë nga qytetarët e Vlorës, ndajnë të njëjtin opinion, por po ashtu ka edhe nga ato turistë që vizitojnë qytetin bregdetar gjatë verës e që shprehen kritikë mbi këtë investim të kushtueshëm, i cili në krye të 3 viteve është jofunksional.
Yanita Ankeve, e ardhur vetëm 1 javë më parë nga Ukraina është duke shijuar pushimet në Vlorë, qytetin të cilin shprehet se e pëlqen së tepërmi.
Atë e takojmë gjatë vëzhgimit tonë për stolat inteligjentë, ku kureshtare Yanita afrohet për të marrë informacion rreth tyre. Në momentin kur merr vesh për vlerën e tyre, ajo shprehet se është e habitshme për një vend me ekonomi të ulët, të bëjë shpenzime të tilla.
“Pse nuk investojnë për popullin? Më duket shumë e pavend, e për më tepër është argëtim. Në një vend si Shqipëria ku paguhen me rroga mesatare 150 € në muaj, kjo është e palogjikshme”, shprehet ajo, ndërsa nuk nguron të bëjë me faj edhe qytetarët, të cilët shkatërrojnë gjithçka e madje sipas saj vetëm gjobitja i shpëton këto objekte nga shkatërrimi.
Altini është një tjetër turist në qytetin bregdetar. Ai ka ardhur nga qyteti i Korçës ndërsa nuk mund të mos i bënte foto këtyre stolave për të cilët kishte dëgjuar më parë.
Për Altinin, vendosja e stolave disi ndryshe është diçka e mirë, pasi ofron dhe shërbime ndryshe nga të tjerët, por ajo çka duket e habitshme është vlera marramendëse e tyre. “Kisha dëgjuar për shëtitoren e Lungomares dhe më pëlqen shumë, madje edhe për stolat inteligjentë më kanë folur të afërmit që vijnë shpesh në Vlorë. Më duket diçka interesante, por më vjen keq që nuk funksionojnë. Sipas meje, kur realizohet një projekt, ndërtohet një objekt apo çfarëdo qoftë, duhet të kujdesemi për të. Me sa duket përkujdesja ndaj këtyre stolave ka munguar, ndaj janë në këtë gjendje. Shpresoj të rivendosen në punë dhe t’i shërbejnë qytetarëve, të cilët nuk kanë mundësi për oferta interneti, duke përmbushur kështu edhe objektivin për të cilin këto stola janë vendosur”, thotë ai për Portën Vendore.
Porta Vendore kërkoi informacion pranë Bashkisë Vlorë mbi mosfunksionimin e këtyre stolave, si dhe masat që pritet të ndërmarrë bashkia për vënien në funksion të tyre. Në përmbushje të afatit 10 ditor të kërkesës për informacion, Bashkia Vlorë tha shkuartimisht se është në proces gjyqësor me kompaninë që ka montuar stolat inteligjent. Kompania që ka fituar këtë tender prej 634 milion lekë me tvsh, dhe e cila kreu punimet në një kohë rekord prej 4 muajsh është COMMUNICATION PROGRESS, me seli në Tiranë, e themeluar që në vitin 1998 dhe e specializuar për Shërbime në fushën e teknologjisë se informacionit dhe komunikimit (TIK). Ky është tenderi i parë dhe i vetëm që kjo kompani ka fituar në Bashkinë Vlorë pasi 5 të tjera i ka në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
Përgjatë shëtitores janë të instaluar një numër i madh kamerash, të cilat kanë fushëpamje nga stolat, lulishtja apo bregdeti, por sërish ky sistem sigurie nuk e ka ndalur shkatërrimin e tyre nga dora e njeriut, me ndihmën e detit, dhe harresën e institucioneve vendore për mbarëvajtjen e tyre.
/Burimi: Porta Vendore/GazetaReforma.com/