Skip to content
Kronikë

Merr flakë fusha e mbetjeve të inceneratorit në Elbasan

· 2 min lexim

Që prej orës 05:00 të mëngjesit të kësaj fundjave, fusha e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit e ka përfshirë një zjarr masiv, që ka shpërthyer dhe përhapur flakët në një sipërfaqe të gjerë.

Shtëllunga tymi dhe era e keqe e shkaktuar nga djegia e plehrave kanë përfshirë lagjet periferi të qytetit, duke shkaktuar shqetësim dhe rrezikuar shëndetin e banorëve në këtë zonë mjaft të populluar.

Zjarri ka shpërthyer në fushën e grumbullimit të mbetjeve pranë inceneratorit, një zonë e cila ka qenë e mbushur për një kohë të gjatë me plehra. Vatra e zjarrit ka qenë aktive për orë të tëra dhe ka shkaktuar një situatë alarmante në qytet. Megjithatë, deri tani, nuk janë zbuluar ende shkaqet e saktë të zjarrvënies, por dyshohet për mundësinë e zjarrvënieve të qëllimshme, pavarësisht se zona e inceneratorit është e siguruar me masa të larta mbrojtjeje.

Ky nuk është hera e parë që fusha e mbetjeve e Elbasanit përfshihet nga flakët.

Gjatë dy viteve të fundit, ka pasur disa incidente të ngjashme, të cilat kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave të shumta zjarrfikëse, emergjencave dhe ushtrisë për të shuar flakët dhe për të minimizuar pasojat.

Ndërkohë, ndonëse procesi i ndarjes dhe djegies së mbetjeve në inceneratorin e Elbasanit ka ndaluar prej kohësh, fusha e plehrave vazhdon të mbetet e mbushur, duke rritur rrezikun e përhapjes së zjarrit.