Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, deklaroi në takimin e Partisë Demokratike se reforma territoriale në Shqipëri ka dështuar, pasi sipas tij është ndërtuar mbi interesa politike dhe jo në funksion të qytetarëve.
Ai theksoi se problemi kryesor nuk është harta administrative, por fakti që bashkitë janë financiarisht të varura nga qeveria qendrore. Sipas Mëlyshit, kjo varësi rrëzon autonominë vendore dhe ndikon drejtpërdrejt në mungesën e shërbimeve, veçanërisht në zonat malore që po përballen me shpopullim.
“Nëse një pushtet vendor është i varur financiarisht, atëherë edhe shërbimet që u ofron qytetarëve varen nga pushteti qendror”, u shpreh ai, duke theksuar se pa pavarësi financiare nuk mund të ketë reformë të vërtetë territoriale.
Mëlyshi ngriti gjithashtu shqetësimin për mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave, duke marrë si shembull Mirditën, e cila sipas tij kontribuon ndjeshëm në buxhetin e shtetit përmes mineraleve, energjisë dhe bujqësisë, por nuk përfiton investime në të njëjtën masë.
Sipas tij, pa një lidhje të drejtpërdrejtë mes ndarjes territoriale dhe burimeve financiare të bashkive, çdo diskutim për hartën e re është i mangët.
Mëlyshi theksoi se ndarja aktuale është një ndarje politike e kalkuluar për vota dhe kontroll pushteti, dhe jo një reformë e ndërtuar për t’u shërbyer qytetarëve.








