Prej muajsh marrëdhënia Kryeministri-Presidencë është krisur dhe shkak është bërë zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Meta paditi vitin që shkoi kreun e KED, Ardian Dvorani, pasi e akuzon atë se ka shpërdoruar detyrën duke i dërguar dy lista njëherësh për dekretim, gjë të cilën Presidenti nuk e bëri.
Kuvendi nga ana tjetër dekretoi Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toskën, kurse Arta Vorpsi e cila ishte automatikisht e emëruar u ‘dogj’ nga Meta që dekretoi Xhaferllarin.
Disa ditë më parë, Meta lajmëroi se kallëzimit të tij do i shtojë disa padi të reja, teksa çoi në SPAK edhe sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Gentian Deva dhe drejtoreshën e Qendrës së Botimeve Zyrtare, Etleva Haxhia.
Ndërkohë, pas dy ditësh, më 2 mars do organizohet manifestimi i paralajmëruar prej ditësh nga Meta.
Më herët, Ambasada amerikane me anë të një deklaratë për mediat u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë në Shqipëri që ta shmangin manifestimin, sepse mund të përdoret dhunë.
Së fundmi, zëdhënësi i Presidencës Tedi Blushi, me anë të një statusi në Facebook, ka dhënë detaje të reja për manifestimin e 2-marsit, ku i ka dhënë përgjigje jo të drejtpërdrejtë edhe Ambasadës së SHBA.
Krahu i djathtë i presidentit shkruan se në manifestim do të marrin pjesë mbi 200 shqiptaro-amerikanë, të cilët e kanë konfimruar pjesëmarrjen e tyre dhe se nuk ka nevojë për alerte.
Më tej, Blushi njofton se Presidenca ka gjetur bashkëpunim në Institucinin e Policisë së Shtetit, e cila e ka miratuar lejen për këtë manifestim.
Manifestimi do zgjasë dy orë, ku pritet të fillojë në orën 17:00 dhe të përfundojë në orën 19:00.
Edhe një herë zëdhënësi i Presidencës ka theksuar se qëllimi i këtij manifestimi është mbarojta e Kushtetutës dhe moslejimi i asaj që Meta e quan ‘grusht shteti’.
Në fund, ai e mbyll me: “Zoti e bekoftë miqësinë e palëkundur shqiptaro-amerikane! ”
Statusi i plotë i Tedi Blushit
Asnjë alert për datën 2 mars, për qytetarët shqiptarë dhe të huaj që jetojnë dhe do të mbërrijnë në Tiranë! Përkundrazi, jemi shumë të lumtur që këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar do t’i bashkohen edhe mbi 200 shqiptaro-amerikanë
, të cilët na kanë konfirmuar pjesëmarrjen në 2 mars dhe një pjesë e të cilëve sapo kanë mbërritur në Atdhe. Dhe me të drejtë, sepse për liritë dhe vlerat amerikane, ata nuk mund t’i marrin leje as Rilindjes dhe as ndonjë segmenti të Sigurimit të Shtetit, kudo që ai të ndodhet!
Gjithashtu, mund t’ju konfirmoj se sot paradite Presidenti Meta me kërkesën e tij ka pritur në takim drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, duke u konfirmuar bashkëpunimin maksimal të Institucionit dhe të tij, për mbarëvajtjen e këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë! Çdo detaj është i mirëpërcaktuar me kohë. Manifestimi fillon në ora 17.00, me flamuj kuqezi dhe mimoza në duar, e përfundon në ora 19.00. Godina e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme do të mbrohen nga aktivistë të identifikuar. Shtetasve të huaj, veçanërisht atyre shqiptaro-amerikanë
që do të marrin pjesë do t’u dhurohet një degë mimoze dhe një Kushtetute e Shqipërisë, e votuar me 140 vota dhe me bekimin e Komisionit të Venecias, SHBA-ve dhe BE-së. Alerti i vetëm i 2 marsit, është për puçistët që tallen me Kushtetutën dhe sovranitetin e popullit shqiptar duke miratuar apo bekuar pabesisht ligje anti-kushtetuese! Të gjithë më 2 mars për Kushtetutën dhe kundër grushtit të shtetit.
Për Shqipërinë dhe sovranitetin e popullit shqiptar! Zoti e bekoftë miqësinë e palëkundur shqiptaro-amerikane!
Pa Kushtetutë nuk ka demokraci! Pa demokraci nuk ka Shqipëri!