Në një moment kur çështja e mbajtjes ose jo të maskës me detyrim edhe në rrugë, është kthyer në debatin qendror të ditës, përveç reagimeve nga qytetarët dhe politika, po vijnë edhe ato nga ekspertët.
Epidemiologu Taulant Muka, shprehet se vendimi i Qeverisë shqiptare për mbajtjen e maskave me detyrim në ambientet e hapura, nuk bazohet në asnjë studim shkencor.
Muka tha se, për momentin nuk ka asnjë studim shkencor që të provojë se do të ketë ndikim në përhapjen e virusit. Ai tha se, në Britaninë e Madhe dhe Francë, atje ku është aplikuar mbajtja e maskës në ambiente të hapura, nuk ka një ulje të kurbës epidemiologjike.
“Evidenca shkencore nuk është e mirë për të bërë të detyrueshme për të marrë vendimin që maska të bëhet e detyrueshme për t´u mbajtur”, tha Muka. Ai u shpreh se në mendimin profesional nuk mendoj se mbajtja e maskave duhej të ishte e detyrueshme, mund të ishte një rekomandim që maska duhet të mbahet.
Muka theksoi përdorimi i maskave prej lecke nuk ka treguar efikasitet.
“Evidenca shkencore, në momentin që flasim, për mbajtjen e maskës në komunitet nuk ekziston. Është një vendim politik, por jo shkencor”,- tha Muka.
Sipas tij, Qeveria duhet të shpërndajë maska për të gjithë, por mendoj se është një vendim i nxituar.
“Është një vendim plagjaturë, i kopjuar nga vendet e tjera. Vendet skandinave nuk e rekomandojnë mbajtjen e maskës as në tren. Nuk ka siguri 100 % nëse virusi përhapet nga aerosoli, ekzistojnë evidenca, por s´ka studime të mirëfillta.
Nuk them se nuk duhet përdorur por nuk ka treguar efikasitet dhe nuk duhet bërë me detyrim. Vendosja me detyrim nuk është një vendim shkencor por politik. Në Shqipëri bëhen disa masa që janë kundër shkencës, dhe fëmijët nën 12-vjeç mbajnë maska në klasa, gjë që nukl ndodh në asnjë vend të Europës”,- shtoi Muka në “Abcnews”.
I pyetur nëse përdorimi për një kohë të gjatë i maskave sjell efekte anësore, ai tha se, nuk është vërtetuar shkencërisht që mund të ndikojë.
Gjithashtu, ai shtoi se, lagështia gjatë kësaj periudhë mund të ndikojë në funksionimin e maskave pasi dëmton përbërjen e tyre.
/GazetaReforma.com/