Një nga mashtrimet më të mëdha të shkurtit të vitit të kaluar ka ardhur edhe një herë në vëmendje ditën e sotme. Bëhet fjalë për stomatologen Olesia Duka, e cila me anë të mashtrimit, u ka vjedhur mbi 2 milionë euro 14 personave të ndryshëm, por dëmi më i madh i është shkaktuar një biznesmeni nga Durrësi ,të cilit i ka zhvatur plotë 900 mijë euro.
Ditën e sotme është zhvilluar edhe seanca e radhës në Gjykatën e Durrësit, pa praninë e të pandehurës, ku një pjesë e viktimave, të cilët janë mashtruar për tre vite me radhë, kanë shpërthyer në lot, akuza dhe thirrje ndaj organeve kompetente. Janë të verifikuar tashmë 14 viktima të cilët janë mashtruar dhe kanë dhënë të ardhurat e tyre për stomatologen Duka.
Sipas Prokurorit, Madrid Kullolli, Olesia Duka i ka pranuar akuzat e ngritura, por jo shumat që pretendojnë palët, ndërsa ka kërkuar gjykim të shkurtuar ndaj saj.
Mirëpo viktimat e mashtrimit nuk kanë qëndruar në heshtje. Ata pohojnë pothuajse një zëri, edhe një herë tjetër, se janë të bindur që Duka ka bashkëpunëtorë dhe nuk ka vepruar e vetme.
“Ku i ka çuar gjithë këto leke, gjithë këtë sasi monetare. Nuk e ka konsumuar për vete, me dikë ka bashkëpunuar, nuk është vetëm ajo gjithë kjo piramidë krimi.”
Megjithatë sipas verifikimeve të bëra nuk kanë rezultuar persona të tjerë të përfshirë në akt.
Për të qenë më të saktë, le ta kthejmë edhe një herë në vëmendjen tonë ngjarjen që ka tronditur jo pak opinionin publik vitin që lamë pas.
Olesia Duka ka përdorur rrjetet sociale për krijimin e një statusi të rremë me qëllim vjedhjen e pasurisë nga shtetas të ndryshëm duke u paraqitur si grosiste dhe zotëruese e parë e tregut të lëndës “Zirkon” për shërbime stomatologjike dhe nëpërmjet shpërdorimit të besimit dhe gënjeshtrës, përfitonte nga biznesmenë të kësaj fushe, sasi të mëdha parash me premtimin për t’ju dërguar lëndën e parë me çmim shumice favorizues, mall të cilin nuk jua dërgonte.
Kështu që, më datë 25 shkurt të vitit 2018 policia vendos dhe ekzekuton urdhrin për arrestimin e Dukës për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Nuk kanë qenë ] të pakta rastet kur avokatët e të pandehurës kanë apeluar vendimin e gjykatës për lënien në burg të mashtrueses duke thënë se “Nga ana e gjykatës së shkallës së parë është vendosur gabim, sepse për klienten time flitet që ka të bëjë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, kur klientja ime ka dy fakultete të gjitha me mesatare 10, do t’ia vë në dispozicion gjykatës, por theksoj se shteti jonë nuk do intelektualë, por persona që vjedhin shtetin dhe ta mbrojnë atë”– deklaroi avokati Arben Llangozi.
Ironia në këto fjalë qëndron në faktin se arrestimi dhe burgosja e një personi që mashtron dhe vjedh 2 milionë euro nga 14 persona, nuk varen nëse kanë apo jo diplomë dhe nëse kanë përfunduar a jo shkollën me mesatare 10, por në dëmin monetar dhe moral të shkaktuar këtyre personave.
Mirëpo nuk mbaron me kaq. A ju kujtohet skandali i Toyota Yaris ku janë përmendur edhe emrat e Taulant Ballës, Ulsi Manjes dhe Jurgis Çyrbes nga ana e kreut të opozitës, Lulzim Basha?
Pikërisht në këtë skandal protagonist rezultoi Ilir Doçi, i përmendur ky nga avokati i Olesia Dukës si pjesëtar në mashtrimin e saj prej 2 milion eurosh.
“Toyota Yaris” dhe gjetja e 3.4 milion eurove në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 ka qenë skandali më i madh i vitit, kjo sepse përfshiu edhe figura të rëndësishme të Partisë Socialiste, siç është kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i akuzuar si organizator dhe përfitues i këtyre të ardhurave. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka akuzuar drejtpërdrejt Ballën për këtë çështje, gjë që e ka detyruar këtë të fundit ta çojë çështjen në prokurori duke e akuzuar Bashën për shpifje.
Në përfundim të gjyqit të hapur, fitues ka rezultuar Taulant Balla, prej nga gjykata ka vendosur një gjobë për Bashën në shumën e 50 mijë lekëve.
Deri më tani të arrestuar për këtë çështje janë katër persona: Edi Lika, Klevi Lika, Arben Ceka dhe Alban Mollaymeri të cilët akuzohen për pastrim parash, armëmbajtje pa leje, falsifikim të monedhave dhe grup të strukturuar kriminal. Në kërkim janë dhe dy persona të tjerë, kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi, ata mendohet se janë porositësit e makinës Toyota Yaris ku u gjetën paratë.