Nuk e dimë, nëse drejtuesi dibran i SPAK, Altin Dumani, ka udhëtuar ndonjëherë në rrugën e Arbrit për të shkuar në vendlindje, por besojmë se ka dëgjuar për batërdinë me këtë rrugë që i shtyhet përfundimi çdo 6 muaj dhe është gropë e zezë për vjedhjen e afro 140 milionë Euro deri tani mbi fondin e kontratës…
Ngjarja e fundjavës që kaloi, nuk ishte moti i keq sepse ai ishte i pritshëm, por bllokimi, izolimi dhe lënia në mëshirë të fatit mes ngricës, stuhisë e dëborës në Rrugën e Arbrit e pa asnjë ndihmë nga shteti, i 400 automjeteve me fëmijë e të moshuar.
Nëse nuk veprohet, situata të tilla te kjo rrugë, do përsëriten e ndoshta me pasoja në njerëz, për shkak se firma ndërtuese “Gjoka Konstruksion” me pronar xhambazin Rrok Gjoka, nuk ka zbatuar projektin, po zvarrit punimet dhe nuk po mban rrugën në gatishmëri.
Aq babëzi ka bërë në këtë rrugë ndërtuesi Rrok Gjoka me bekimin e Bablokut, sa u përmbytën jo vetëm shumë segmente e tunelet, por dhe Ura e Vashës me lartësi 152 metër mbi humnerë, ngaqë nuk i janë bërë as vrimat kulluese të ujit në bazament.
Sipas kontratës koncesionare, Rruga e Arbrit duhej të përfundonte në muajin maj 2021 e më pas për datën 29 nëntor 2021, por nuk përfundoi as 60% e punimeve, paçka se Babloku shkoi e inauguroi me qeverinë, administratën lokale dhe me këngë e valle dibrane.
Një muaj pas prerjes së shiritit, afati i përfundimit të Rrugës së Arbrit u la për muajin prill 2022, por… asgjë. Pastaj u shty për në tetor 2022; për në shtator 2023, për në prill 2024, ndërsa sipas buxhetit të ri të shtetit, rruga do përfundojë e inaugurohet brenda muajit prill 2025, ose disa ditë para zgjedhjeve.
Edi Rama me Rrok Gjokën
Nuk e dimë, nëse drejtuesi dibran i SPAK, Altin Dumani, e ka provuar torturën dhe rrezikun, për të shkuar në vendlindje në mot të keq, duke udhëtuar në Rrugën e Arbrit.
Por besojmë se i ka lexuar denoncimet e mediave dhe raportin e KLSH, për krimin ekonomik e teknik, që është bërë e vazhdon të bëhet në këtë rrugë, ku për shkak të vjedhjeve të Rrok Gjokës, po zvarritet përfundimi punimeve, ndërsa fizikisht nuk po ndërtohet sipas projektit.
Zotit Dumani, po i kujtojmë se në kontratën që miratoi qeveria, fondi total për ndërtimin e Rrugës së Arbrit ishte 263 miliardë lekë të vjetra dhe me afat dorëzimi më 31 maj 2021.
Ndërsa në raportin që Autoriteti Rrugor, Ministria Infrastrukturës dhe Ministria e Financave paraqitën për buxhetin e vitit 2024, vlera për përfundimin e Rrugës së Arbrit, do jetë 400 miliardë e 30 milionë lekë të vjetra; 26 miliardë nga të cilat, shtesë e tretë për tunelin e Murrizit.
Sipas llogarisë, rezulton se për Rrugën e Arbrit janë shtuar 164 miliardë lekë të vjetra, ose afro 140 milionë Euro, që janë vjedhur duke shtuar kosto fiktive dhe duke sajuar gjoja rrëshqitje toke, punime të pa parashikuara dhe shembje të qëllimshme tunelesh nga ndërtuesi Rrok Gjoka.
Përfundimi i rrugës, sipas afatit ishte në muajin maj 2021, ndërsa sipas afatit të ri të vendosur për muajin prill 2025, rruga do dorëzohet me 4 vite vonesë dhe projekti i sigurisë teknike e përmasave fizike, është zbatuar vetëm 70% për shkak të vjedhjes së fondeve.
SPAK e ka detyrim, ta hetojë këtë skemë të organizuar korrupsioni në këtë rrugë, duke e nisur nga Drejtori i Autoritetit Rrugor, Evis Berberi dhe ndërtuesi Rrok Gjoka, ndërsa po patën këllqe të trokasin dhe te Balluku e Babloku./Pamfleti