Masat nuk funksionuan! Sot skadon ora policore. A do të marrë masa të reja Komiteti i Ekspertëve?

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë kanë dështuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit në një masë të madhe në vend, edhe me gjithë masat shtrënguese.

Mbajtja e maskës në mënyrë të detyrueshme në rrugë, apo mos lejimi i grumbullimit të më shumë se dhjetë personave, apo dhe ideja për të mbyllur shkollat, apo penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve, janë thjesht masa që askush nuk e di se sa realisht e frenojnë përhapjen e pandemisë.

Sot skadon ora policore e vendosur me shumë bujë tre javë më parë nga Komiteti i Ekspertëve. Data 2 dhjetor shënon edhe ditën e fundit të masave kufizuese të pjesshme, edhe pse zëra të pakonfirmuar thonë se Komiteti Teknik i Ekspertëve, po shikon në dëshpërim e sipër marrjen e masave të reja.

Siç dhe lajmëruan, për tre javë, Shqipëria mbyllte “qepenin” në orën 22:00 dhe e hapte në orën 06:00.

Por dita e fundit që do të aplikohet ora policore është sot, duke shtuar dyshimet se çfarë masash do të ndërmerren nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Në fuqi mbetet mbajtja e maskës në mënyrë të detyrueshme dhe mos lejimi i grumbullimit të më shumë se dhjetë personave.

Zëra spekulativ ndërkohë, thonë se “Tirana do të mbyllet tërësisht në fundjavë”.

Sipas tyre, Komiteti i Ekspertëve, i ka propozuar qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, mbylljen e vendit nga e premtja deri të hënën, për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve gjatë fundjavës.

Megjithatë deri tani nuk ka ende një njoftim zyrtar as nga ekspertët dhe as nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Nuk dihet nëse e njëjta masë do të merret edhe për qytete të tjera me numra të larta rastesh të infektuara, nga pandemia e koronavirusit.

Deri tani në vendin tonë, janë shënuar 39014 persona të infektuara nga pandemia, ndërkohë që 822 prej tyre, kanë ndërruar jetë. Rekord infektimesh dhe të vdekurish mban Tirana, me disa vatra të nxehta.

/GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento