Një marrëveshje e rëndësishme është nënshkruar ditën e sotme mes Kanadasë dhe Shqipërisë.
Bëhet fjalë për marrëveshjen për “Mbrojtjen Shoqërore mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe Rregullores Administrative” ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë dhe Departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë.
Kjo marrëveshje ka një qëllim të rëndësishmë për të paktën 60 mijë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Kanada, pasi behet e mundur që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit se ku ka punuar.
Në bazë të marrëveshjes do të mund të bashkohen periudhat dhe do të bëhet e mundur që përmes plotësimit të kushteve ligjore, të përfitohet pension në të dy vendet.
Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë.
Marrëveshja është nënshkruar nga pala kanadeze me përfaqësuese Ministren e Punëve të Jashtme zj. Chrystia Freeland, ndërsa nga pala shqiptare përfaqësues ka qenë Ambasadori i Shqipërisë në Kanada, z. Ermal Muça.