Një investigim i gazetarit grek Vangelis Triantis, botuar në median “Datajournalist”, ka zbuluar një rrjet kriminal të fuqishëm të lidhur me industrinë e ndërtimit në Mykonos.
Ky hetim ngre dyshime serioze mbi vrasjen e Alfons Ndocit, një 35-vjeçar shqiptar, i ekzekutuar brenda burgut të Koridhalos më 26 qershor 2024.
Një regjistrim audio pesë-orësh, i realizuar fshehurazi nga vetë Ndoci, përmban biseda mes tij dhe një kontraktori të fuqishëm ndërtimi në Mykonos.
Ky regjistrim, dorëzuar Policisë Helene në qershor 2023, dyshohet se zbulon informacione kyçe mbi aktivitetin e mafies së ndërtimit. Pavarësisht kësaj, dosja audio nuk është trajtuar nga autoritetet dhe fati i saj mbetet i panjohur.
Ndoci ishte një emër i njohur për autoritetet greke për shkak të një historie të pasur kriminale. Ai kishte qenë i përfshirë në disa vrasje dhe grabitje të dhunshme:
• Më 12 mars 2015, ai ekzekutoi një 53-vjeçar në Elefsinë gjatë një grabitjeje.
• Më 6 tetor 2015, një grua 75-vjeçare, e goditur në kokë nga banda e tij gjatë një grabitjeje, ndërroi jetë disa ditë më vonë.
• Më 30 mars 2016, u arrestua si pjesë e një grupi kriminal që kishte kryer të paktën pesë grabitje.
• Më 9 maj 2018, u arratis nga burgu së bashku me tre të tjerë. Njëri prej tyre, sipas hetimeve, ishte pikërisht personi që e vrau në burg në vitin 2024.
Incidenti ndodhi gjatë një përleshjeje mes të burgosurve, e cila fillimisht kishte nisur për një çështje të vogël, por përfundoi me vrasjen brutale të Ndocit me thikë.
Ngjarja ndodhi një javë para ekzekutimit të Panagiotis Stathis, një topograf 54-vjeçar që punonte në Mykonos, duke e bërë lidhjen mes këtyre vrasjeve edhe më të dyshimtë.
Në Mykonos, Ndoci punonte në sektorin e ndërtimit dhe ishte i lidhur me një kontraktor të njohur, i cili më parë kishte qenë i dyshuar për një vrasje, por ishte shpallur i pafajshëm.
Konflikti mes tyre nisi në vitin 2022, kur Ndoci, së bashku me dy persona të tjerë, e sulmoi dhe grabiti atë në zyrën e tij, duke marrë 30 mijë euro. Pas arrestimit në qershor 2023, Ndoci i tregoi policisë për ekzistencën e audios që ekspozonte mafien e ndërtimit.
Ndoci nuk ishte vetëm një viktimë e dhunës kriminale, por edhe një ekzekutor i mëparshëm. Në vitin 2020, ai kishte kryer një atentat ndaj një agjenti imobiliar, me urdhër të kontraktorit të Mykonos. Agjenti mbijetoi, por dëshmia e tij hodhi dritë mbi dhunën dhe abuzimet në sektorin e ndërtimit të ishullit.
Pavarësisht dëshmive të shumta dhe dyshimeve për një rrjet mafioz të fuqishëm, hetimet duket se janë penguar.
Regjistrimet audio nuk u shqyrtuan, ndërsa celularët e të dyshuarve për vrasjen e Ndocit nuk u analizuan kurrë. Kjo ngre pyetje serioze mbi ndikimin e mafies së ndërtimit në sistemin e drejtësisë dhe forcën e saj për të fshehur të vërtetën.
Nëse këto informacione do të dalin në dritë, ato mund të trondisin themelet e industrisë së ndërtimit në Mykonos dhe të ekspozojnë një rrjet kriminal që operon i paprekur për vite me radhë.