Lydia Crouch është vetëm pesë vjeçe, por në sytë e gjyshërve të saj, ajo është një rikthim i gjallë i vajzës së tyre të ndjerë, Caroline. Jo vetëm në pamje, por edhe në zemrën e saj të mirë dhe karakterin e kujdesshëm.
“Duket se ajo ka trashëguar mirësinë e brendshme të Caroline dhe kjo është e gjitha për të cilën më intereson,” shprehet gjyshi i saj, David Crouch, inxhinier në pension.
“Asgjë nuk do ta lehtësojë kurrë dhimbjen e vdekjes së vajzës sime, por kam shpresa të mëdha për Lydian. Ajo po na mbështet në një të ardhme të zymtë dhe të zbrazët.”
Lydia sapo ka festuar ditëlindjen e saj të pestë me një festë në pishinë bashkë me shokët e klasës. Ajo nuk e di ende se çfarë ka ndodhur me nënën e saj. Në sytë e saj, nëna thjesht “ka vdekur”. Nuk i është treguar që më 11 maj 2021, babai i saj, piloti grek i helikopterit Babis Anagnostopoulos e vrau brutalisht në gjumë
Sot, ai vuan një dënim me burgim të përjetshëm dhe nuk ka më asnjë kontakt me të bijën.
David dhe bashkëshortja e tij Susan, filipinase, jetojnë në ishullin grek Alonisos, ku rritën edhe Carolinen.
Pasi morën kujdestarinë e Lydias, jeta e tyre u përqendrua tërësisht rreth vajzës së vogël. Susan, e cila qëndron larg vëmendjes publike, i është përkushtuar kujdesit ndaj mbesës, me të cilën fle çdo natë në shtratin ku dikur flinte Caroline. Lydia, megjithatë, nuk është ende në dijeni të plotë për atë që ndodhi.
“Ajo nuk e ka idenë se çfarë do të thotë kjo dhe e pranon pa koment,” thotë Davidi.
Fëmija është rritur duke menduar se nëna e saj ka ndërruar jetë, pa hyrë në detaje të tragjedisë. Në aktivitete si ai i fundit në shkollë, ku nxënësit duhet të shkonin me veshje tradicionale të vendeve të tyre, Susan dhe David nuk e dinin se si duhet të ishte një veshje tradicionale greke, ndaj u orientuan nga imazhet e perëndeshave greke.
Por në sfond qëndron ende një e vërtetë e errët, e cila një ditë duhet të zbulohet. Gjyshërit e dinë se do të vijë momenti kur Lydia do të kërkojë të dijë më shumë për të shkuarën e saj. Dhe për këtë, ata janë të përgatitur të mbajnë qëndrimin e tyre.
“Ngushëllimi im i vetëm është se ajo nuk do ta takojë kurrë të atin. Do të sigurohem që ajo të mos e takojë kurrë. Ai do të duhet të vuajë të paktën 24 vjet të tjera në burg përpara se të mund të merret në konsideratë kërkesa për lirim me kusht, por shpresoj se do të kalbet atje.”
Sot, Davidi hedh dritë mbi një pistë të re në lidhje me motivin e vrasjes së vajzës së tij, duke mos e pranuar kurrë versionin e Anagnostopoulos-it, i cili pretendon se ka vepruar në një moment humbjeje të kontrollit.
Ai pohon se vrasja mund të ketë lidhje me një bandë droge dhe paraqet si provë një letër që, sipas tij, është shkruar nga vetë Anagnostopoulos drejtuar bashkëshortes së Davidit, Susan.
“Ishte letra e një frikacaku, e një burri të dobët që kërkonte falje; e dikujt që kishte guximin të sulmonte vajzën time vetëm kur ajo flinte. Në letër, ai u përpoq të kërkonte falje për vrasjen e vajzës sonë dhe gjithashtu shpjegoi se si ishte përfshirë në një bandë që trafikonte drogë. Anagnostopoulos ishte një pilot helikopteri, puna kryesore e të cilit ishte transportimi i njerëzve rreth ishujve grekë – por ai u josh nga oferta e parave të mëdha për të dërguar një ngarkesë droge. Në fillim të vitit 2021, ai u prezantua me anëtarë të një bande trafikimi droge nga pronari i një restoranti vendas. Ata i thanë se kishin nevojë që ai të bënte një punë për ta, për të cilën do të paguhej shumë mirë dhe Anagnostopoulos nuk e kuptoi se me këtë lloj marrëveshjeje, sapo të jesh pjesë e saj, je pjesë e saj për gjithë jetën. Kur arriti në shtëpi atë natë, ai menjëherë nisi t’i mburrej Caroline-s se si do e bënte të pasur. Caroline, sigurisht, u çmend. Ajo nuk donte të kishte të bënte fare me drogën apo me paratë që mund të fitoheshin duke i trafikuar ata. Kështu ajo i tha se duhej të kontaktonte njerëzit e grupit dhe t’u thoshte se gruaja e tij ia kishte ndaluar që të merrej me ta. Madje i shtoi se nëse nuk do ta bënte këtë gjë, ajo do të merrte vajzën dhe do të shkonte të jetonte me motrën e saj në Filipine. Ai kontaktoi menjëherë bandën dhe ua tha këtë gjë. Ata i shpjeguan se në biznesin e tyre, kur je brenda, je brenda përgjithmonë. Dhe i dhanë urdhër që ta “heshtte” gruan e tij. Nëse nuk do ta bënte, banda do të vriste të gjithë familjen, përfshirë atë dhe foshnjën Lydia. Kështu ai përgatiti planin e tij se ngjarja ishte kryer nga grabitës,”-tregoi i ati i viktimës.
Në të njëjtën periudhë u gjet i vdekur edhe një pronar restoranti, i cili sipas Davidit ishte personi që e kishte lidhur pilotin me bandën. Edhe pse autoritetet e klasifikuan vdekjen e tij si vetëvrasje, David është i bindur se ai u eliminua për të mbyllur gojën.
Përkundër mohimeve të vetë Anagnostopoulos-it dhe të familjes së tij për ekzistencën e letrës, Davidi këmbëngul se ajo është e vërtetë. Ai i qëndron historisë së tij dhe jeton mes kujtimeve të dhimbshme të vajzës dhe dashurisë për mbesën që po rrit me aq përkushtim.
Çdo vit, në përvjetorin e vdekjes së Caroline, familja organizon një shërbesë përkujtimore në varrin e saj, i mbuluar me lule të bardha, një simbol i pastërtisë dhe dashurisë që ajo la pas.