Kur pak ditë më parë u zbulua plani i AfD (Parti e ekstremit të djathtë) për dëbimin e të huajve nga Gjermania, e gjithë shoqëria u ngrit në këmbë. Gazetarë investigativë denoncuan projektin e propozuar nga austriaku ekstrem Martin Sellner në takimin e 25 nëntorit në Potsdam.
Në thelb plani përmbante “kthimin mbrapsht të vendosjes së të huajve” në Gjermani, të cilët do të dëboheshin në një “shtet model” të Afrikës.
Për hir të eufemizmit termi u quajt REIMIGRIM por në thelb ishte DËBIM.
Deri këtu asgjë e re. Më parë ishte Anglia ajo që kishte kërkuar e miratuar zyrtarisht një “kthim” riemigrues (dëbim) të azilkërkuesve në Ruandan afrikane.
Sikurse dhe Italia, e cila ka marrë miratimin e Shqipërisë për t’u bërë kjo “shteti model” i pritjes në kampe përqëndrimi të azilkërkuesve kryesisht afrikanë.
Plani i AfD ishte realisht më i gjërë, pasi përfshinte dhe persona me leje qëndrimi, por dhe shtetas gjermanë “të paasimiluar”, por në thelb ai nuk ndryshon shumë nga ai anglez për Ruandën dhe italian për Shqipërinë.
Ai është plan deportimi, plan ekstrem RIEMIGRIMI.
Shoqëria gjermane e konsideroi atë si një deja-vu të planit nazist për të deportuar personat e padëshiruar në ishullin e Madagaskarit.
Koincidencat ishin tronditëse, pasi në vitin 1942, konferenca e Wannsee (Wannsee-Konferenz), po në Potsdam, vendosi të ashtuquajturën “zgjidhje përfundimtare” kundër hebrenjve të Evropës.
Reaksioni gjerman protestues ishte i fortë dhe u shpërnda në të gjithë vendin.
Demokracia aktive u shfaq, sipas DW, me gjithë vitalitetin e saj.
Hipokrizia e politikës dhe kafazi shqiptar i Ramës
Ironikisht vetëm pak ditë më parë, larg vëmendjes së opinionit gjerman, kryeministri shqiptar, i ftuar nga kryeministri landit bavarez SÖDER njëherazi drejtues i CSU-së në Bavari në një konferencë të së majtës gjermane në 18 Janar, tregonte gadishmërinë e tij, sipas dhe kërkesës së të majtëve gjermanë në pushtet, ta bënte Shqipërinë “shtet model” për azilkërkuesit nga Gjermania.
Kërkesa dhe pranimi kishin një bazë: Rama kishte miratuar e nënshkruar më parë një marrëveshje me Melonin, kryeministren e djathtë italiane, për ta bërë Shëngjinin “kafazin” e azilkërkuesve që mësyenin brigjet italiane.
Palët u ndanë me dorën në qafë dhe entuziastë për këtë plan RIEMIGRIMI të ri gjerman.
Dhe ky plan ngjante si dy pika uji me projektin e AfD, pavarësisht se targetonte vetëm azilkërkuesit dhe jo ata me lejeqendrimi apo të paasimiluarit.
Metodika ishte e njëjtë: spastrim me MOSLEJIM-DËBIM (RIEMIGRIM) në një shtet model.
Shteti nuk do ishte afrikan këtë herë, por evropian.
Dhuratën e jepte Rama. Ishte Shqipëria-Ruanda e Europës.
E majta gjermane dhe ajo shqiptare në pushtet, po jetësonin kështu projektin e ngjashëm më atë të AfD-së së djathtë ekstreme, sipas dhe idesë iltaliane tashmë të bërë vepër.
Ironia është se protestat e gjermanëve ndaj prirjeve naziste të AfD, por që janë dhe realizime të së majtës në pushtet, me ndryshimin e vetëm që kanë zgjedhur jo një vend afrikan por Shqipërinë, po kapitalizohen nga e majta për përfitime e mbështetje popullore elektorale, të rëna ndjeshëm këto kohë.
Madje vetë Scholz dhe ministrja e jashtme e tij Annalena Baerbock morën pjesë vetë në protestën e mbi 10.000 vetëve në Potsdam, kundër ekstremizmit të djathtë. (DW)
Vetë kancelari Olaf Scholz deklaroi në rrjetin X, se çdo plan për të dëbuar emigrantët (pa specifikuar azilkërkuesit) është “një sulm kundër demokracisë dhe kundër të gjithëve ne”. (DW)
Shkurt në thelb, Scholz i majtë (megjithëse dhe vetë e ka hedhur idenë e përsorimit të Shqipërisë si shtet model) del kundër Söder-it të majtë dhe Ramës së majtë që është mashë e vetëofruar e “planit” të parashkuar të AfD.
Pikëpyetja mbetet nëse do i mëshojnë gjermanët, pas kësaj, kërkesës për ta bërë Shqipërinë “shtetin model” siç ia ofroi Rama?!
Gjykata kushtetuese si sulmuese e demokracisë
“Menjëherë sa u publikua raporti, gjashtë shoqata juristësh gjermanë, ndër ta Federata e Gjyqtarëve Gjermanë dhe Dhoma Gjermane e Avokatisë, thanë se takimi është sulm kundër kushtetutës dhe shtetit juridik. Ata thanë se takimi mund të kthehet në një “konferencë të dytë Wannsee”.”- shkruan DW.
Pra i gjithë projekti dhe metodika e tij deportuese në një “shtet model”, bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe shtetin juridik. Kjo vlen dhe për shtetin nisës dhe atë pritës. Aq më tepër që dhe pritësi është dhe europian, me kushtetutë e shtet juridik të mbështetur në të njëjtat parime themelore.
Por në Shqipëri mund të ngjajë gjithçka.
Shoqëria u tregua e vakët ndaj marrëveshjes së ngjashme për ndërtimin e kafazeve me autonomi territoriale italiane, për të vendosur aty azilkërkuesit afrikanë dhe nuk ka ndjeshmëri për parimet demokratike.
Kundërshtimet e së djathtës shqiptare ishin esenciale. Por dhe këtu çelësin e zgjidhjes Rama e kishte në dorë.
Gjykata Kushtetuese e marrë politikisht në kontroll nuk arriti të shoh shkeljet e kundërshtitë kushtetuese e ligjore të marrëveshjes kur ajo hapur bie ndesh.
Ajo u dëshmua një vegël e pushtetit për t’i dhënë legjitimitet një marrëveshje problematike si juridikisht ashtu dhe nga pikëpamja e të drejtave të njeriut.
Politikisht nuk ka asnjë çudi që një pushtet i majtë pranon një projekt të ngjashëm me AfD-në e ekstremit të djathtë.
Kjo ndodh sepse ekstremet gjithnjë puqen. Nazistët dhe sovjetikët dëshmuan të njëjtin qëndrim ndaj hebrejve pavarësisht diferencave ideologjike.
Në Shqipëri ka kohë e mijëra arsye për të pranuar se demokracia ka vdekur dhe se jemi në një regjim të së majtës ekstreme.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte thjesht një gozhdë më shumë në arkivolin e Kushtetutës e demokracisë së vendit.